Rezultatet e regjistrimit do të publikohen më 31 mars 

A do të merret vesh nga regjistrimi i popullsisë se sa qytetarë kanë ikur nga vendi? Drejtori i Entit Shtetëror për Statistika, Apostoll Simovski, thotë se kjo do të mund të kuptohet në mënyrë indirekte, por jo edhe koha se kur kanë migruar.

“Fatkeqësisht këtë do ta dimë se sa të rinj kanë mbetur. Mundet që duke përdorur edhe regjistrat që të vërtetohet në një farë mënyre indirekte se sa e kanë lëshuar vendin dhe nuk janë këtu. Por do të jetë problem të dimë se kur e kanë lëshuar vendin ku dhe në cilin vend janë. Nga ku janë mundet sepse kemi të dhëna në baza por nuk dimë kur janë larguar dhe për ku, tha Apostoll Simovski, drejtor i Entit për Statistika.

Publikimi i rezultateve pritet të bëhet më 31 mars, sipas afatit të paraparë, ndërsa Simovski pohon se gjithçka po shkon sipas planit.

“Kemi shkuar me pyetësorë elektronikë andaj gjithçka tashmë është në bazë, ajo se sa është futur tashmë nuk ka kësaj here. Ka faza të ndryshme të përpunimit, sipas dinamikës që e kemi paraparë po ecin të gjitha fazat, ka kujdes edhe për afatet, deri më tani nuk kemi problem me këtë gjë, andaj gjithçka dhe asgjë, si t’u them, deri sa nuk përfundon edhe faza e fundit e përpunimit, nuk ka asgjë”, deklaroi Apostoll Simovski, drejtor i Entit për Statistika.

Procesi i regjistrimit filloi me 5 e përfundoi më 30 shtator. Janë regjistruar 1 832 696 banorë, prej të cilëve 204 850 nga diaspora, ndërsa janë regjistruar 837 255 amvisëri.