Kovaçevski: Pres që nesër të vendoset për pagën minimale

Qeveria është në anën e punëtorëve – rritja e pagës minimale do të plotësohet, ka shkruar sot kryeministri Dimitar Kovaçevski në profilin e tij në Facebook.

Dialogu i hapur social me të gjitha palët, tha ai, është ajo që do të na çojë në zgjidhjen më të përshtatshme që është në interes të punëtorëve.

“Pres që nesër të kemi një vendim për rritjen e pagës minimale. Siç kam premtuar, ne do t’i zgjidhim efektivisht të gjitha çështjet në interes të qytetarëve dhe do t’i përmbushim premtimet. Ky është parimi dhe fryma në të cilën do të zgjidhen të gjitha çështjet që kanë për qëllim ngritjen e standardit jetësor të qytetarëve”, shkruan Kovaçevski.

Më herët, Federata e Sindikatave të Maqedonisë përmes një komunikate kërkoi nga Qeveria që me vendosmëri të qëndrojë në krah të punëtorëve dhe propozimin sindikal për pagë minimale prej 18.000 denarë dhe rritja graduale të pagave të tjera të votohet në Këshillin Ekonomik dhe Social si dhe ta mbështesë atë.

Në mbledhjen e dytë të mbajtur të premten në Qeveri nuk u arrit marrëveshje për pagën minimale pasi sindikatat mbetën në kërkesën që ajo të arrijë në 18.000 denarë dhe rritje graduale të të gjitha pagave tjera, ndërsa disa punëdhënës propozuan subvencionimin e rritjes së pagës minimale.

Bisedimet, sipas njoftimeve, duhet të vazhdojnë pasi nesër në seancën e Këshillit Ekonomik të Qeverisë do të diskutohet për gjithçka që është diskutuar deri më tani, si dhe propozimi i fundit i Konfederatës së Biznesit për subvencionimin e një pjese të rritjes së pagës minimale.