Pandemia po hyn në fazë të re, ekspertët: Pranvera do të jetë normale, por në dimër sërish do të ketë infektime

Pandemia e koronavirusit po hyn në një fazë të re, falë nivelit të lartë të vaksinimit dhe imunitetit natyral, çka nënkupton se pranvera dhe vera do të jenë si në kohët e parapandemisë këtë vit.

Virologu belg, Peter Piot shprehet se fal ë vaksinimit numri i vdekjeve ka r rënë.

“Mendoj se është e qartë se po shkojmë drejt një faze të re; pikë së pari, pasi virusi po ndryshon në variante si Omicron, i cili, siç e dimë, është më i transmetueshëm, por më pak agresiv. Së dyti, falë vaksinimit, numri i vdekjeve ka rënë. Ka më pak të shtruar në terapitë intensive, kështu kjo, e kombinuar me infektimin natyral, do të thotë se kemi imunitet kolektiv”.

Por, eksperti i shëndetësisë, që njihet si bashkëzbuluesi i Ebolës, dhe për punën e tij lidhur me Hiv/Aids, tha se dimri mund të risjellë sërish shpërthime periodike të infektimeve, që mund të frenohen falë vaksinimit dhe mbajtjes së maskave.

“Mendoj se mund të shpresojmë se pranvera dhe vera do të jenë pak a shumë siç kanë qenë përpara, duke supozuar se nuk do të kemi më variante të rrezikshme. Gjithsesi, në verë do të jemi të relaksuar. Por, unë po mendoj që tani për dimrin e ardhshëm, pasi kur themi se virusi do të bëhet endemik, do të thotë se do të jetë kudo, edhe pse me më pak rrezik për popullsinë”.

Ndërsa shkenca parashikon se Covid-19 nuk do të zhduket në të ardhmen e afërt, kompanitë farmaceutike vijojnë punën për të ripërshtatur mjetet e luftës. Pas Pfizer, edhe Moderna thotë se do të ketë së shpejti gati vaksinën kundër variantit Omicron, e cila, siç thotë, do të hyjë në fazën e testimit klinik javët e ardhshme.

Kompania beson se do të mund të ndajë të dhënat mbi sigurinë dhe efektshmërinë e saj, në muajin mars. Moderna po zhvillon gjithashtu një vaksinë të vetme që kombinon dozën përforcuese me një vaksinë eksperimentale kundër gripit.