Pavarësisht reshjeve të shiut dhe borës qytetarë të shumtë sot kishin vërshuar pikat e vaksinimit duke krijuar radhë të gjata. Rrëmuja u shkaktua për shkak të festave ku shumë prej qendrave të vaksinimit nuk punuan për disa ditë. Qytetarët që anketuam prisnin në radhë më shumë se 40 minuta për të marrë dozën e tretë të vaksinës, ndërsa ato për dozën e dytë kishin përparësi për shkak të terminit të caktuar.
“Për dozën e tretë. Rreth 40 minuta po pres, ndoshta edhe më shumë. Shumë rrëmujë, tash erdhi edhe një grup tjetër për të vaksinuar dhe filloi radha të lëviz, më shpejt dhe më lehtë”.
“Siç po e shihni, ka mjaft njerëz. Sa kohë prisni? Gjysmë ore e më shumë”.
“Ata që janë për dozën e dytë kanë përparësi ndërsa ne që jemi për dozën e tretë presim në radhë”.
“Kam pritur shumë. Më kapi edhe pauza, rreth dy orë jam këtu. Jashtë na thërrasin, kush është për dozën e parë, të dytë dhe të tretë”.
Nga Poliklinika Bukuresht thanë se interesim më të lartë kishte për dozën e tretë të vaksinës.
“Sigurisht që jemi të organizuar, kemi numër të mjaftueshëm të ekipeve. Punojmë në dy ndërrime. Ata që janë për dozën e dytë tashmë e kanë të caktuar para 21 ditësh. Të tjerët që janë për dozën e tretë nuk kanë termin të caktuar, i pranojmë të gjithë që vijnë”.
Ndërsa qytetarët vazhdojnë të vaksinohen, numri i të prekurve me Covid 19 sërish mbetet i lartë. Në 24 orët e fundit janë regjistruar 813 raste të reja infektimesh dhe 6 viktima.