Situata në Kazakistan mbetet e tensionuar, vriten dhjetëra protestues

Situatë e tensionuar në Kazakistan. Ministria e Brendshme e Kazakistanit në një deklaratë tha se dhjetëra persona u likuiduan, ndërsa më shumë se 3,000 janë arrestuar. Ministria tha gjithashtu se 18 pjesëtarë të policisë dhe gardës kombëtare janë vrarë që nga fillimi i protestave.

Bilanci i të lënduarve ka kaluar mbi 1.000. Gati gjysma e tyre janë shtruar në spitale, ndërsa raportohet për të paktën 40 persona në kurim intenziv si pasojë e lëndimeve të rënda.
Presidenti i vendit Kassym-Jomart Tokajev, ka dhënë urdhër që të hapet zjarr ndaj protestuesve pa kurrfarë paralajmërimi paraprak. Thirrjet nga bota për një zgjidhje paqësore të krizës, ai i përshkroi si marrëzi, ndërsa protestuesit i quajti “terroristë” dhe njerëz të drejtuar nga jashtë.

“Jap urdhër të prerë për hapje zjarri ndaj secilit i cili rrezikon demokracinë dhe jetën e nëpunësve të policorë. Operacionet policore dhe ushtarake në të gjithë shtetin do të vazhdojnë derisa të neutralizohen të gjithë terroristët e armatosur. Ata po vazhdojnë të hapin zjarr dhe të dëmtojnë pronat publike dhe pronat e qytetarëve. Forcat shtetërore kanë kthyer rendin kushtetues në pjesën më të madhe të vendit dhe situata do të normalizohet së shpejti”, deklaroi Kasim-Zhomart Tokaev, President i Kazakistanit.

Kur forcat vendase te sigurisë humbën kontrollin mbi situatën, presidenti i Kazakistanit, Tokayev kërkoi ndërhyrjen ushtarake ruse, sipas kushteve të të ashtuquajturit Traktat i Sigurisë Kolektive, që ekziston midis disa vendeve ish-sovjetike.
Demonstratat në Kazakistan nisën në fund të javës së kaluar në pjesën perëndimore të vendit në shenjë proteste ndaj dyfishimit të çmimeve të karburanteve. Por, për shkak se ato janë përhapur në të gjithë vendin shumë shpejt dhe janë rritur shumë, disa vëzhgues politikë pohojnë se ato pasqyrojnë pakënaqësi më të gjerë në vendin që ka jetuar nën autoritarizëm që nga shpallja e pavarësisë nga Bashkimi Sovjetik në vitin 1991.