Raportohet numri më i lartë i rasteve me Covid-19 në një ditë të vetme në SHBA

Të hënën në SHBA u raportuan 512,533 infeksione të reja me koronavirus.

Numri jashtëzakonisht i lartë i së ditës së sotme mund t’i atribuohet vonesave të raportimit të numrit të mbetur në fundjavë. Megjithatë, ky është numri më i lartë i rasteve i regjistruar në një ditë të vetme që nga shpërthimi i pandemisë në vend.

Kjo rritje e papritur ndryshoi ndjeshëm mesataren javore të rasteve me Covid-19 në SHBA. Ai u rrit në 105 për qind gjatë dy javëve, i nxitur nga varianti Omicron që transmetohet më lehtë.

Numri i përgjithshëm i personave të infektuar me koronavirus në SHBA është rritur në 52,794,834, sipas të dhënave më të fundit nga Universiteti ‘Johns Hopkins’.

Sot janë regjistruar 1,767 viktima të tjera, duke e çuar numrin total të vdekjeve nga Covid-19 në 818,371. Ka një rënie të lehtë prej 5 për qind në mesataren javore të vdekjeve nga Covid-19.

Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, 205,196,973 amerikanë, ose 61.8 për qind e popullsisë së kualifikuar, kanë kryer të dyja dozat e vaksinës Covid-19 deri më tani.

Kjo përfshin 87,5 për qind të personave mbi 65 vjeç. Vaksinat përforcuese po administrohen me një ritëm më të shpejtë. Më shumë se 66 milionë amerikanë, ose 32.3 për qind e popullsisë së kualifikuar, kanë bërë tashmë dozën përforcuese.