TABLO DIMRI
Shënëndre,
aromë dimri,
mbi fshat dëbora ka veshur malet,
rrugicat e bardha pa gjurmë jete,
misra e qepë varur mbi trarë të kasolleve,
lënda drusore e njomë,
nga oxhaku dëgjohen të kërcitura zjarri,
një lagje më poshtë, pa drita e pa ujë,
tek-tuk lehje qensh…
Dimri i kockave, i njerëzve të varfër,
stina e mundimit, që ha beharin, ka filluar…
Shpresat qëndrojnë të ngrira,
si pemët e zbardhura në bahçe…
Foletë e mëllenjave,
në shkurret e egra dhe degët e dëllinjave
zhurmojnë.
Bardhësia e borës ka mbuluar ngjyrat,
zogjtë si yje shkëlqejnë,
dielli ka dhëmb,
veriu kafshon.
Nga qartësia e zbehtë dhe netët e gjata,
shëmbëllime mahnitëse…
© Xhemi Hajredini
Strugë, më 17.12.2021
(Foto, Ladorishti në dimër)