BE-ja porosit 180 milionë doza të vaksinës së përshtatur për llojin Omicron

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka bërë të ditur se Bashkimi Evropian (BE) ka vendosur një porosi për mbi 180 milionë doza të vaksinës BioNTech/Pfizer të përshtatur për llojin Omicron të koronavirusit (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke folur me gazetarët pas një takimi të Këshillit Evropian, von der Leyen tha se liderët e BE-së kanë miratuar disa pika në kontratat e nënshkruara me prodhuesit, që ata të kërkojnë zhvillimin e një vaksine të përshtatur për llojin Omicron brenda 100 ditëve.

Ajo shtoi se rregullatori i barnave i BE-së po punon për të vlerësuar vaksinën e përshtatur.

Shefja e Komisionit Evropian po ashtu theksoi se Evropa tani mund të prodhojë 300 milionë doza të vaksinës për çdo muaj.

Me më shumë se 1 miliard doza të dërguara në pjesën tjetër të botës, tha von der Leyen, BE-ja është eksportuesi më i madh i vaksinave kundër COVID-19.

Ajo po ashtu u kërkoi vendeve anëtare të BE-së që të përshpejtojnë fushatat e tyre të vaksinimit në vazhdën e llojit Omicron.

Von der Leyen po ashtu sqaroi periudhën e vlefshmërisë së certifikatave COVID të përdorura në udhëtime, të cilat së fundmi kanë qenë objekt diskutimesh brenda BE-së.

Duke përsëritur se rekomandohet të merret një vaksinë përforcuese gjashtë muaj pas vaksinimit të plotë, ajo tha se certifikatat do të jenë të vlefshme për tre muaj të tjera derisa të jepet doza përforcuese.