Pavarësisht bllokadës së Bullgarisë dhe ngecjes në procesin euro-integrues të republikës së Maqedonisë së Veriut, qytetarët edhe më tej vazhdojnë të mbështesin fuqishëm këtë proces dhe janë optimist sa i përket progresit të vendit drejt anëtarësimit në BE. Të paktën këtë e tregojnë rezultatet e hulumtimit “Eurometar” të organizatës Eurothink, ku qytetarët përmes anketave telefonike, u pyetën për qëndrimet e tyre rreth Bashkimit Evropian, politikës së jashtme, si dhe për besimin në institucionet, situatën e sigurisë dhe punën e policisë.
Dimitar Nikollovski nga Eurothink, tha se, në bazë të rezultateve që kanë marrë, këtë vit ka shënuar rritje mbështetja e qytetarëve për anëtarësim në BE.
“Të dhënat tregojnë se pjesa më e madhe e qytetarëve mbesin përkrahës këmbëngulës të Bashkimit Evropian. Në krahasim me vitin 2020, këtë vit është rritur për 2% përqindja e qytetarëve të cilët vlerësojnë se anëtarësimi në BE “është punë e mirë”. Edhe përkundër vetos së Bullgarisë, mbështetja dhe pritjet për anëtarësim mbetet stabile dhe shënon rritje. Për 3 përqind pikë janë rritur edhe pritjet për fillim të negociatave në 6 muajt e ardhshëm, ndërsa pothuajse tre e katërta (74%) e qytetarëve do të votonin pozitivisht për në referendum për anëtarësim në BE dhe një e treta vlerësojnë se integrimi në BE do të ndodhë në 5 vitet e ardhshme”, tha Nikollovski.
Megjithatë, një numër i konsiderueshëm i qytetarëve vlerësojnë se raporti i BE-së ndaj Maqedonisë së Veriut është jo fer, por edhe përkrah kësaj, shumica e qytetarëve vlerësojnë se BE, është alternative më e mirë për vendin.