Qeveria do të vendosë nesër për çmimin e rrymës

Nesër qeveria do të vendosë se me çfarë çmimi EMV do t’i shesë rrymë EVN Home. Drejtori i termocentraleve shtetërore Vasko Kovaçevski, thotë se më në fund kanë arritur t’i bëjnë planet financiare për prodhimin vendor, por edhe sa para do t’u nevojiten për realizimin e prokurimeve publike të parapara për vitin 2022. Kovaçevski siguron se në vend të 60 për qind të parashikuara ligjërisht të energjisë elektrike të nevojshme për amvisëri, EMV do ta sigurojë të gjithë energjinë dhe nuk do të ketë nevojë për import të shtrenjtë të energjisë elektrike nga bursat.

“Presim që në ditët në vijim, e ndoshta nesër në një seancë të mbyllur qeveria të sjellë vendim të tillë, të rekomandojë çmim dhe deri më 9 dhjetor, derisa zgjatë thirrja e hapur e EVN Home, të paraqesim ofertë zyrtare”- deklaroi Vasko Kovaçevski Drejtor i EMV-së

Qeveria nuk iu përgjigj pyetjeve të Alsat, të cilat përmbajnë përllogaritjet e dorëzuara të EMV-së dhe sa do të kërkojë rritje të çmimit të energjisë elektrike qeveria në emër të termocentraleve shtetërore. Energjia elektrike që EMV-ja e blen nga Furnizuesi Universal deri më 31 dhjetor e që është e dedikuar për amvisëri është 36 euro për megavat orë. Njoftimet fillestare ishin se rryma do të reduktohet për nëntë për qind, por pas Vitit të Ri është e mundur rritje më e madhe e energjisë elektrike. Problemet me reduktimin e prodhimit të energjisë elektrike nga kapacitetet vendore dhe rryma e shtrenjtë që çdo ditë thyen rekorde në bursa për nga çmimi, bënë që EMV-ja të mos dorëzojë ofertë në tre tenderët e EVN Home. Për momentin, hidropotenciali është në nivel shumë të ulët dhe termocentralet janë duke funksionuar me intensitet të reduktuar për shkak të mungesës së qymyrit dhe naftës për prodhimin e energjisë elektrike.