Kongresi i Manastirit krijoi plazmën e bashkimit kombëtar
Një kongres për të zgjidhur çështjen e alfabetit të përbashkët të shqipes e mori klubi “Bashkimi” i Manastirit në gushtin e vitit 1908. Ai vendosi që të mblidhej një kongres që tia jepnin "mbarim kësaj së madhe nevojë për bashkimin e shqiptarëve në një ABC”. Thirrja e Kongresit të Manastirit u mirëprit nga forcat atdhetare shqiptare si një ngjarje me rëndësi në fushën e kulturës kombëtare të popullit shqiptar, por edhe si ngjarje me rëndësi të madhe politike. Shumë letra dhe telegrame morën organizatorët e Kongresit, ku falënderonin për një nismë të tillë, por shprehnin edhe mendimet e tyre për problemet që do të diskutoheshin, që ky forum të merrej edhe me çështje të tjera që ishin shumë të ngutshme për t
u zgjidhur. Kështu pretendimet ndaj Kongresit të Manastirit, me kalimin e kohës, po rriteshin, duke kaluar nga kërkesa kulturore në kërkesa politike.
Kongresi i Manastirit i filloi punimet më 14 nëntor 1908 dhe vazhdoi deri më 22 nëntor të po atij viti. Përbërja e delegatëve ishte heterogjene, pasi krahas personaliteteve të njohura në fushën e kulturës, ishin ftuar edhe patriotë dhe aktivistë të lëvizjes sonë kombëtare. Morën pjesë 50 delegatë: 32 me të drejtë vote dhe 18 pa të drejtë vote. Kongresi zgjodhi drejtuesit e tij prej gjashtë vetësh: Mithat Frashëri, kryetar i Kongresit të Manastirit, Luigj Gurakuqi e Gjergj Qiriazi nënkryetarë, Hilë Mosi, Thomas Avrami dhe Nyzhet Vrioni sekretarë. Duke qenë se Mithat Frashëri erdhi më vonë, për atë kohë që mungoi, e drejtoi veprimtarinë Gjergj Qiriazi. Ardhjen e M. Frashërit e përshëndeti sekretari i Kongresit Hilë Mosi, i cili vlerësoi edhe Frashërin, që ka nxjerrë burra të tillë të vlefshëm. M. Frashëri iu përgjigj duke rrëfyer shërbimet që i ka bërë Shkodra gjuhës shqipe dhe vlerën që kanë shkodranët se me një kohë kur gjuha jonë është e ndaluar dhe kërkund gjetkë skëndohesh shqip, në Shkoder shqipja punohesh dhe përdoresh prej një shumice të madhe. Dy ditët e para të Kongresit shërbyen për t
u njohur kërkesat e delegatëve dhe me propozimet e tyre, çka lejoi që të gjendej një emërues i përbashkët për shumë çështje për të cilat ishte mbledhur Kongresi. Gjithashtu u shfaqën mendime se në cilin alfabet duhej mbështetur, çfarë parimi të zbatohej: një tingull-një shkronjë, siç e zbatonin në alfabetet e tyre ai i Stambollit dhe i Agimit, apo të pranoheshin edhe dyshkronjëshat, siç i kishte shoqëria “Bashkimi”. Pra vëmendja e kongresistëve u përqendrua në tri alfabetet e përmendura më sipër.
Për ta zgjidhur problemin e alfabetit të shqipes, në ditën e tretë të Kongresit, u zgjodh një komision i përbërë prej 11 vetëve: Gjergj Fishta kryetar, Mithat Frashëri nënkryetar, Luigj Gurakuqi sekretar dhe N. Mjeda, G. Cilka, Dh. Buda, B. Topolli, S. Peci, Gj. Qiriazi, Sh. Kolonja dhe N. Vrioni anëtarë. Raporti i shkronjave të ngjashme në mes të tri alfabeteve ishte i tillë: 36/12 alfabeti i Stambollit dhe i Agimit; 36/20 i Stambollit dhe i Bashkimit; 36/20 i Agimit dhe i Bashkimit. Shkronja të përbashkëta ishin 19.
Në rrethana të tilla, ashtu siç propozonte L. Gurakuqi, për të mos i qarë zemra askujt, u vendos që të hartohej një alfabet i ri. Puna u përqendrua në zgjedhjen e shkronjave, pasi dy çështje ishin pranuar me kohë: mbështetja në alfabetin latin dhe se alfabeti ynë duhet ti kishte 36 shkronja. Pas diskutimesh dhe debatesh për njërin ose tjetrin variant u pëlqye që të merreshin dy alfabete "abc-ja e Stambollit dhe me të bashkë edhe një abc të thjeshtë latine që të mësohen e të përdoren bashkërisht në mes të shqiptarëve." Miratimi i dy alfabeteve nuk i shqetësoi delegatët. Ata e konsideruan këtë zgjidhje një fitore të madhe që arriti t
i bashkonte shqiptarët dhe kështu tu japë një shtysë të fuqishme gjuhës dhe shkollës shqipe. Dhe gëzimin e tyre e shprehnin në diskutimet që bënë. "Lirija" e Selanikut shkruante: "Dom Ndre Mjeda me urtësi të madhe foli dhe tregoi se shqiptarët qenkan të zotët që edhe të bashkohen dhe të punojnë së bashku sikundër q
i rrëfen kjo mbledhje e Manastirit”. Ai në atë kohë, do të thurte edhe këto vargje:
Përmbî zâ, që lëshon bylbyli,
Gjuha shqipe m’shungullon,
Përmbi erë, qi nep zymbŷli,
pa ‘da zemrën ma ngushëllon.
Gegë e toskë, malësi, jallia,
jan nji komb, m’u ‘da s’duron,
fundë e majë nji âsht’ Shqipnia,
e nji gjuhë t’gjith na bashkon.
Komisioni arriti të zbatonte ndryshimet: alfabetit të Stambollit iu bënë pesë ndryshime, duke ndryshuar pak fizionominë e tij, mbasi rriti numrin e shkronjave latine, por duke ruajtur parimin një tingull një shkronjë, ndërsa alfabeti tjetër pranonte edhe dyshkronjëshat. Alfabeti me bazë latine kishte këtë strukturë: 25 shkronja të thjeshta latine, dy shkronja me shenja diakritike (ç dhe ë) 5 dyshkronjësha të ndërtuar me faringalen h (dh, sh, th, xh, zh) 2 me qiellzoren j (gj e nj) 2 shkronja të dyzuara (ll e rr).
Komisioni, i kryesuar nga atë Gjergj Fishta, arriti ta zgjidhte problemin, i cili prej kaq e kaq vitesh u end nëpër rrugë e shtigje, shumë herë edhe me sakrifica të mëdha. Vetë koha, ndër të dy alfabetet zgjodhi atë që kemi sot, i lehtë dhe i thjeshtë si në të shkruar, ashtu edhe në shtyp. Me të drejtë shkrimtari ynë i mirënjohur Ismail Kadare, në promovimin e dy veprave të tij “E bija e Agamemnonit” dhe “Pasardhësit” në Shkup tha: “Alfabeti i sotëm i shqipes është i mrekullueshëm, i është përshtatur shumë mirë gjuhës shqipe. Ai i qëndroi kohës, alfabeti i përkryer, i unifikuar, i bashkuar. Alfabeti i shqipes mbështetur në atë latin ishte rrjedhojë e kulturës latine”.
Arritjet e Kongresit të Manastirit zgjuan interesin dhe vëmendjen e diplomatëve të huaj, të akredituar në shtetin e Gadishullit Ballkanik. Raportet e tyre japin mjaft të dhëna për situatën e krijuar në Manastir, ku mbizotëroi mirëkuptimi në mes të shqiptarëve se cilët ishin elementet që i bashkuan ata.
Për burimin dhe autorët e alfabetit të sotëm ka pasur polemika pas Kongresit të Manastirit. Në shtypin e paraluftës mbizotëronin kryesisht dy teza: e para, alfabeti i sotëm është ai i shoqërisë “Bashkimi”, i përkrahur nga ithtarët e tij dhe e dyta, është alfabeti i shoqërisë “Agimi”. Por për këtë çështje duhet të kemi parasysh parimin që u ndoq dhe ngjashmërinë e shkronjave. Alfabeti ynë ndjek atë parim që zbatoi alfabeti i shoqërisë “Bashkimi” që një fonemë mund të paraqitej edhe me bashkimin e dy shkronjave. Në këtë rrafsh alfabeti ynë përkon me atë të “Bashkimit”, por në ngjashmërinë e shkronjave nuk është i njëjtë, pasi ka 11 ndryshime. Edhe përkrahësit e shoqërisë “Bashkimi” një gjë të tillë e kanë pranuar. Kështu alfabeti ynë u mbështet në një traditë, pati si orientim disa zgjidhje të alfabeteve të kohës dhe së fundi u udhëhoq nga parimi i zbatuar në alfabetin e shoqërisë “Bashkimi”, përfaqësuar nga Gjergj Fishta në përqëndrimin e dyshkronjëshave, që patjetër duhet të ketë luajtur rol vendimtar.
Kongresi i Manastirit ishte rrjedhojë e gjithë përpjekjeve të atdhetarëve tanë për lëvrimin e gjuhës dhe të shkrimit shqip, i vetë rritjes të ndërgjegjes kombëtare të popullit shqiptar. Ai qe një faqe e ndritur e kulturës sonë që u tregoi opinionit vendës dhe evropianë se çështjet e kulturës ishim në gjendje t`i zgjidhnim vetë, pa pasur nevojën e ndërhyrjes së të tjerëve. Pati të drejtë Çajupi, kur thoshte: ” Alfabeti duhet të zgjidhet prej nesh”. Por jo gjithçka shkoi mirë pas Kongresit të Manastirit. U organizuan mitingje dhe anti-mitingje në mbrojtje ose kundër alfabetit të sotëm. Por çdo gjë që vinte në kundërshtim me atë që miratoi Kongresi i Manastirit ishte e kotë. Turqit e rinj u përpoqën shumë ta pengonin përfaqësimin e alfabetit latin, por ishte vonë. Populli shqiptar e mbrojti alfabetin e sotëm, si shkencor, i thjeshtë dhe praktik. 113 vjet e vërtetuan efikasitetin e tij, duke mbetur kështu sistem i vetëm shkrimor i shqipes.
Ky kongres i dëshmoi botës ekzistencën dhe identitetin e një kombi autokton. Kjo ABC krijoi plazmën e bashkimit kombëtar.
Përzgjodhi dhe përgatiti: Xhemi Hajredini