Shumica e të punësuarve në hotelet e rivierës së Ohrit dhe Strugës qëndrojnë në shtëpi. Për momentin, disa prej tyre marrin 70% të pagës, të tjerët vetëm gjysmën, ose 50%. Objektet boshe, pa turistë dhe mungesa e fluksit i detyruan pronarët të ndërmarrin një hap të tillë. Disa nga objektet e hoteleve janë plotësisht të mbyllura, disa punojnë me kapacitet minimal, pra në punë janë administratorët dhe stafi teknik.
“Ne kemi paralajmëruar se do të ketë zhvillime të tilla në periudhën në vijim. Dhe mendoj se në muajt në vijim do të ketë edhe më shumë pushime të tilla nga puna, kjo për shkak të të gjitha këtyre ndodhive rreth nesh. Më së shumti në vetë situatën me kovidin, që ka përfshirë një valë më të madhe në Evropë, dhe vendet përreth nesh.”- deklaroi Kërste Bllazheski-Kryetar i HOTAM.
Nëse nuk marrin shpejt ndihmën shtetërore, ndoshta do t’u duhet ti largojnë nga puna të gjithë punëtorët. Thonë se duke punuar vetëm në korrik dhe gusht, është e vështirë të mbijetosh gjatë gjithë vitit.
“Nëse dikush nuk ka mundësi të nxjerrë mjete për shpenzimet bazë të pagave dhe rrymës, taksat në komunë, nuk mund të presim që mos pushohet dikush nga puna. Gjithçka është në lojë.”- pohoi Kërste Blazheski-Kryetar i HOTAM.
Hotelierët kërkojnë një sërë masash të reja për ndihmë, nga qeveria, në mënyrë që siç thonë ata, ta kalojnë këtë periudhë deri në stabilizimin e plotë të situatës. Disa mijëra familje në Strugë dhe Ohër varen nga të afërmit e tyre, që punojnë në disa prej objekteve hotelierike.