Vazhdojnë hetimet në spitalin e djegur modular në Tetovë

Përfaqësues të policisë federale kriminalistike të Gjermanisë në ditët në vijim do duhet të arrijnë në vend. Bashkë me prokurorët tonë do duhet të bëjnë kontrolle në spitalin e djegutr modular në Tetovë ku humbën jetën 14 pacientë. Në ndërkohë prokuroria informoi se hetimi për zjarrin po vazhdon.

“Priten rezultatet e ekspertizave të porositura dhe zhvillohen biseda me të gjithë personat që me informatat e tyre mund të ndihmojnë dhe të zbardhen shkaqet e zjarrit”, njoftojnë nga Prokuroria publike.

Sipas një deklarate të qeverisë nga dje, ekipi gjerman është i specializuar në hetimin e viktimave në fatkeqësi dhe aksidente. BKA do të bashkëpunojë me Ministrinë e Brendshme, dhe duhet të ndihmojë hetimin e drejtuar nga prokuroria për të gjetur arsyet e zjarrit. Përfaqësuesit e Ambasadës Gjermane ishin sot në vendin ku ndodhi zjarri në Tetovë.

Prokuroria tani është në lëvizje për të zbuluar pse kishte të afërm të pacientëve në objektin e montuar, sepse kjo është e ndaluar sipas protokolleve për KOVID. Videot nga Spitali Klinik dhe ndërtesat afariste përreth do të ekzaminohen për të përcaktuar shkakun e shpërthimit të flakës, që përfshiu spitalin modular në vetëm pak minuta. Përveç kësaj, policia e Tetovës duhet të sigurojë të gjithë dokumentacionin për ndërtimin e saj. Prokurorët nga Tetova dhe Shkupi do të kontrollojnë nëse ka lëshime të mundshme, nga personat përgjegjës në lidhje me respektimin e rregullave për mbrojtjen në punë, por edhe nëse janë respektuar obligimet për mbrojtjen nga zjarri. Disa nga dëshmitë për natën fatale të 8 shtatorit janë se në spitalin e montuar në Tetovë, përveç faktit që nuk ka pasur sistem për zbulimin dhe shuarjen e hershme të zjarreve, nuk ka pasur edhe aparatet kundër zjarrit. Tani, me ndihmën e policisë kriminale gjermane, shteti duhet të përcaktojë pse dhe si shpërtheu zjarri. Presidenti i vendit Stevo Pendarovski theksoi se asnjë ekspert i huaj nuk ka të drejtë të ndërmarrë në mënyrë të pavarur veprime hetimore, por se ai mund të marrë pjesë dhe të vëzhgojë vetëm se si veprojnë institucionet tona.