Drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetësisë paralajmëroi të hënën se lufta kundër pandemisë COVID-19 nuk ka përfunduar.
“Siç tregon përvoja me këtë pandemi, asnjë vend nuk duhet të heqë dorë nga mbrojtja prej saj. Vetëkënaqësia mund të jetë po aq e rrezikshme sa vetë virusi. Duhet të vazhdojmë të jemi vigjilentë,” tha Tedros Adhanom Ghebreyesus, duke folur nga Roma në një takim rajonal virtual të OBSH-së në Nepal.
Shefi i OBSH -së tha se kishte pasur disa rekomandime që synonin të jepnin një përgjigje më të mirë për të luftuar pandeminë. Sidoqoftë, hapi më efektiv dhe që sipas tij mund të sjellë “ndryshimin më të madh” në të ardhmen është gjetja e zgjidhjes për të gjitha vendet në mënyrë të barabartë.