Përfundon rekomandimi për mësim online, nxënësit e Strugës dhe Kërçovës kthehen në bankat e shkollës

Nxënësit e shkollave të mesme të Strugës dhe Kërçovës të enjten kthehen në bankat shkollore, pasi të mërkurën përfundon rekomandimi për mësim online në shkollat e mesme të këtyre dy qyteteve. Ndërkohë nxënësit e shkollave të mesme të Tetovës dhe Gostivarit mësimin online do ta vazhdojnë edhe një javë. Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe deklaroi se rreziku është minimal që mësimi në shkolla të përkeqësojë gjendjen epidemiologjike. Ai bëri thirrje për respektimin e protokolleve shëndetësorë nëpër shkolla si mënyrë e vetme për parandalimin e përhapjes së virusit. Sot janë regjistruar edhe dy nxënës të infektuar me Kovid, njëri në njërën shkollë të Velesit dhe tjetra në Shkup. Deri më tash janë regjistruar 16 nxënës pozitiv me Kovid, numër i cili sipas autoriteteve nuk le hapësirë për panik, pasi ata nuk janë infektuar nëpër shkolla.