SHBA-ja dërgon mbi gjysmë milion doza të Pfizerit në Kosovë

Shtetet e Bashkuara po dërgojnë në Kosovë mbi gjysmë milioni doza të vaksinës kundër koronavirusit të Pfizerit, teksa vendi po përballet me rritje të rasteve të reja dhe vdekjeve nga koronavirusi.

Shtëpia e Bardhë tha për Radion Evropa e Lirë se 503,100 doza do t’i dorëzohen Kosovës duke filluar nga 3 shtatori.

Ky donacion do të vijë në Kosovë përmes programit COVAX gjatë kësaj fundjave.

“Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuar që të sjellin të njëjtën urgjencë në përpjekjet ndërkombëtare për vaksinim siç ne e kemi demonstruar në SHBA dhe ne po punojmë që të sjellim sa më shpejt që të jetë e mundur në Kosovë vaksina të sigurta dhe efektive”, tha Shtëpia e Bardhë.

Më 20 gusht, në Kosovë arritën 35,000 doza të Pfizerit, donacion nga SHBA-ja.

“Ky është një moment unik në histori dhe kërkon lidership amerikan. Ne do të vazhdojmë të bëjmë gjithçka që mundemi për të krijuar një botë më të sigur kundër kërcënimit ndaj kësaj sëmundjeje ngjitëse”, tha Shtëpia e Bardhë në përgjigjen dërguar Radios Evropa e Lirë.

Javëve të fundit, Kosova ka regjistruar rritje të numrit të rasteve të reja dhe vdekjeve. Vetëm gjatë 3 shtatorit, në Kosovë u regjistruan edhe 26 vdekje të reja dhe mbi 1,400 viktima.

Gjatë kësaj jave, autoritetet shtetërore në Kosovë njoftuan se kanë hequr nga përdorimi mbi 133.000 doza të vaksinës së AstraZenecas, pasi të njëjtave u kishte dalë afati. Në Kosovë, qytetarët kanë shprehur hezitim për ta marrë këtë vaksinë.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, deri më 3 shtator, në Kosovë janë adminsitruar 882,718 doza të vaksinës, ku 298,445 persona janë vaksinuar me dy dozat.

Qytetarët në Kosovë kanë të drejtë të zgjedhin nëse duan të vaksinohen me vaksinën e Pfizerit apo të AstraZenecas.