OBSH-ja ngre alarmin për rritjen e viktimave nga COVID-19

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) paralajmëroi të hënën se mbi 230,000 viktima të reja nga COVID-19 mund të ndodhin në Evropë deri më 1 dhjetor.

Paralajmërimi vjen derisa bota kaloi shifrën e 4.5 milionë vdekjeve nga COVID-19 që nga fillimi i pandemisë, sipas agjencisë AFP.

Shkalla e të infektuarve po rritet në tërë botën, pasi varianti Delta i koronavirusit është shumë më i transmetueshëm dhe po mbizotëron rastet e reja.

Infektimet po ndodhin kryesisht në mesin e personave të pavaksinuar dhe në vendet ku masat kundër përhapjes së COVID-19 janë lehtësuar.

Kreu i OBSH-së për Evropën, Hans Kluge, tha të hënën se numri i të infektuarve dhe vdekjeve është përsëri në rritje në Evropë, veçanërisht në vendet më të varfra në Ballkan, Kaukaz dhe Azinë Qendrore.

“Javën e kaluar, u shënua një rritje prej 11 për qind e numrit të vdekjeve në rajon që në bazë të një parashikimi mund të çojë në 236,000 vdekje në Evropë, deri më 1 dhjetor”, tha Kluge.

Deri më tash Evropa ka regjistruar rreth 1.3 milion vdekje nga sëmundja COVID-19.

Nga 53 vendet anëtare të OBSH -së në Evropë, 33 kanë regjistruar një shkallë më të lartë vdekjeve dhe kjo ka ndodhur kryesisht në vendet më të varfra, tha Kluge.