Shkollat të gatshme për vitin e ri shkollor, mësimi me prani fizike

Shkollat fillore dhe të mesme kanë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e vitit shkollor më një shtator. Përveç në shkollat e mesme në Tetovë dhe Gostivar, në të gjitha shkollat tjera fillore dhe të mesme të vendit mësimi do të nis me prani fizike.

Ministrja e Arsimit, Milla Carovska tha se për mbarëvajtjen e mësimit ka diskutuar me drejtorët e të gjitha shkollave fillore ndërsa tani edhe më drejtorët e shkollave të mesme.

Me shkollat fillore takimet i kemi përfunduar të mërkurën, të enjten dhe të premten. Sot bisedojmë me të gjitha shkollat ​​e mesme lidhur me fillimin e vitit shkollor, por në lidhje me ndryshimin e modelit, nuk ka një diskutim të tillë. Nga shtabi koordinues lokal në Tetovë u kërkua që për dy javë mësimi të zhvillohet online dhe Komisioni për Sëmundjet Infektive vendosi se mund të mësojnë online edhe atë që të mos ketë mbingarkesë në spitale, pra jo për shkak të parametrave të tjerë”, pohoi Milla Carovska, ministre e Arsimit.

Lidhur me protokollet, Ministra e Arsimit, Milla Carovska tha se ato janë publikuar shumë kohë më parë dhe se janë në dispozicion për të gjithë ata që duan t’i lexojnë; mësuesit, drejtorët, nxënësit, prindërit dhe mediat.

Para hyrjes së shkollës, nxënësve do tu matet temperatura dhe nëse kanë një temperaturë mbi 37.4, ata nuk do të mund të hyjnë. Hyrja do të lejohet vetëm me maska mbrojtëse dhe dezinfektim të duarve.

Qartë janë të përshkruara të gjitha masat si dezinfektimi, maskat, përdorimi i sallës së shkollës dhe mensave. Unë do t’ju kërkoj të shihni detajet e theksuara qartë dhe të njoftoni publikun. Është me rëndësi të theksohet se ajrosja e klasave të mos bëhet me pajisje, por me hapjen e dritareve dhe dyerve të klasave. Nxënësit gjatë pushimit mund të dalin për të hequr maskat, por gjatë qëndrimit në klasë duhet të ketë dezinfektim të vazhdueshëm të sipërfaqeve, dezinfektim të vazhdueshëm të duarve dhe mirëmbajtje të maskave të fytyrës në mënyrë të vazhdueshme”, tha Milla Carovska, ministre e Arsimit.

Ministria e Shëndetësisë ndërkohë i ka bërë thirrje mësimdhënësve dhe prindërve të nxënësve të vaksinohen me qëllim të mbarëvajtjes së procesit mësimor. Mësimi me prani fizike do të zhvillohet bazuar në gjendjen epidemiologjike. Në rast të përkeqësimit të gjendjes janë edhe dy modele, ai për mësim të kombinuar dhe online.

Nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme në mars të vitit 2020 ndërprerën mësimin me prezencë fizike për të kaluar në mësim online. Ministria këtë formë të mësimit e vlerësoi të suksesshme, por nxënësit, prindërit dhe shoqatat e arsimtarëve e vlerësuan të dështuar dhe më pasoja për fëmijët.