Spitalet në Tetovë, Gostivar, Strugë dhe në Kërçovë ende janë të mbushur me pacientë nga Kovid-19. Edhe dje atje janë vërejt më shumë raste të reja në krahasim me qytetet tjera. Por edhe më shumë viktima. Nga rastet e reja prej 1.082, nga Tetova janë 87, Gostivar– 72, Kërçovë– 57, ndërsa në Shkup – 406.
Nga 27 viktimat, gjashtë janë nga Tetova, pesë nga Gostivari, tre nga Kërçova. Tre nga Kërçova janë të moshës 48, 46 dhe 45 vjeç.
Autoritetet thonë se në rajonin e Pollogut tashmë është arrit piku dhe tani situata do të fillojë të qetësohet.
Zëvendësministri i Shëndetësisë, Ilir Hasani këto ditë ka marrë pjesë në të gjitha takimet që i ka pasur Shtabi i krizës për Komunën e Tetovës, ndërsa në takim me gazetarë theksoi se masa të reja shtesë për qytetin dhe rajonin nuk nevojiten, duke i konsideruar si kundërproduktive.
Kryeministri Zoran Zaev dje ka thënë se tani për tani nuk diskutohet për karantinë speciale ose kufizime të posaçme për shkak të gjendjes aktuale epidemiologjike në vend.
“Shpresojmë se shifrat që ditëve të fundit u stabilizuan, do të fillojnë të bien, veçmas nëse ju përmbahemi masave dhe nëse kujdesemi”, ka thënë Zaevi.
Lidhur me numrin e shtuar të rasteve kovid, veçanërisht në Tetovë dhe Gostivar, Zaevi ka thënë se kryesisht punohet për qytetarë me sëmundje kronike.
Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe tha se koordinimi me drejtorët e spitaleve në Tetovë dhe Gostivar, Strugë dhe Kërçovë ende zgjat me qëllim që çdo pacientë që ka nevojë për shtrim në spital të transportohet në Shkup, ku ka ende vende në spitalin në Kozle, ku edhe ka ekip me rotacion të mjekëve specialistë infektologë dhe pulmologë.
“Objektet tjera shtesë janë gati, megjithatë, tani për tani, përveç këtij spitali, asnjë kovid qendër tjetër nuk do të ndërtohet siç ishte në valën e mëparshme”, tha Filipçe.
Në territorin e mbarë vendit, theksoi se vaksinimi po kryhet mirë, është e shkëlqyeshme mesatarja e qytetarëve të cilët po lajmërohen çdo ditë mbi dhjetë mirë dhe me atë numri i përgjithshëm i qytetarëve të cilët tani janë të vaksinuar me së paku një doze janë afër 700 mijë, prej të cilëve 510 mijë janë rivaksinuar.
“Ajo që është karakteristike dhe interesante, që në periudhën e fundit dukshëm po rritet interesi për vaksinim të qytetarëve më të rinj, posaçërisht prej 18 deri 40 vjeç dhe tani ai numër është 170 mijë qytetarë të vaksinuar, që sipas analizave është 26 për qind nga popullata e përgjithshme në ato grup mosha”, tha ministri Filipçe.
Prej dje ka filluar me punë edhe pika e vaksinimit në sallën e vogël në QS “Boris Trajkovski” ku qytetarët që duan të vaksinohen mund të bëjnë atë pa terminë të caktuar.
Në pikat e vaksinimit në shtet dhe në terren, në konkludim me ditën e pardjeshme janë vaksinuar gjithsej 695.525 qytetarë. Dozën e parë të vaksinës e kanë marrë 9,123 qytetarë, ndërsa dje u vaksinuan gjithsej 13,303 qytetarë. Gjithsej 1,207,515 doza vaksinash janë aplikuar në vend, dhe 511,989 qytetarë janë rivaksinuar. Me numrat e fundit, 70 për qind e popullsisë mbi 70 vjeç kanë marrë të paktën një doze të vaksinës, 69 për qind e popullsisë mbi 65 vjeç është vaksinuar me të paktën një dozë të vaksinës, dhe 65 për qind e popullsisë mbi 60 vjeç është vaksinuar me të paktën një dozë. Gjithsej 56 për qind e popullsisë mbi 50 vjeç vaksinohen me të paktën një dozë të vaksinës.
Deri më tani në vend janë bërë gjithsej 1,130,975 teste të Kovid-19. 13,235. Numri i përgjithshëm i personave të diagnostikuar me KOVID në vend që nga fillimi i epidemisë është 172.657, numri i pacientëve të shëruar është 153.640, numri i viktimave është 5.782, ndërsa numri i rasteve aktive është 13.235.