Rritet interesimi për vaksinim në Strugë, qytetarët ankohen për pritjet e gjata

Është rritur interesimi për vaksinim në Strugë. Gjatë ditës imunizohen deri në 500 persona. Radhët e gjata që krijohen në punktet e vaksinimit, kanë bërë që qytetarët të ankohen për pritje me orë të tëra për tu vaksinuar.

“Presim prej në mëngjes prej në ora 7, tash sa mbarova me vaksinimin, pritja është e lodhshme”….

“Duhet të ketë rregullim, më mirë me thirrje. Duhet të ketë dy tre vende për të vaksinuar, se un jam 80 vjeçar, të pres 3-4 orë, nuk është mirë”..

“Ka një orë, jo sësht e lodhshme, çdo gjë në rregull shkon.”, thanë qytetarët

Nga qendra shëndetësore në Strugë shprehen të kënaqur me interesimin e qytetarëve për t’u imunizuar. Deri më tani, në dy punktet e qendrës shëndetësore në Strugë janë vaksinuar rreth 15 e 500 qytetarë, ndërsa ka edhe struganë të cilët janë vaksinuar në Ohër dhe Vevçan. Sa i përket ankesës së qytetarëve për pritje të gjatë thonë se kjo ndodhë pasi vaksinimi tani bëhet pa termine.

“Numri është solid deri më tani, rreth 15,000 qytetarë janë vaksinuar. Unë nuk kam një numër të saktë, por numri po rritet. Ky është numër me një dozë, por të vaksinuar me dy doza ka arrit mbi 6500 qytetarë. Jam i kënaqur me interesimin e qytetarëve. Sa i përket turmave që bëhen, ndodh sepse nuk është me termine dhe qytetarët marrin numra e din sa duhet të presin, megjithatë nuk ka pasur ndonjë problem apo incident.”,- deklaroi drejtori i Qendrës Shëndetësore në Strugë, Andon Lozhankoski.

Vaksinimi në Strugë bëhet në dy punkte, ndërsa ka vazhduar edhe vaksinimi në teren. Për kërkesën e qytetarëve që të hapet edhe një punkt, nga qendra shëndetësore thonë se nuk kanë personel të mjaftueshëm për më shumë punkte, për shkak se një pjesë e personelit shkon për vaksinime nëpër shtëpi tek personat e sëmurë.