Situata në aeroportin e Kabulit e tensionuar, të paktën 3 viktima

Me kalimin e ditëve shtohet edhe më shumë rreziku nga talibanët ndaj bashkëpunëtorëve të perëndimit. Mediat ndërkombëtare shkruajnë raportojnë edhe për tre jetë të humbura. Ushtria ka përforcuar edhe më shumë perimetrin e aeroportit “ Hamid Karzai” në Kabul, ndërkohë në video materialet e mediave ndërkombëtare shihet se si talibanët godasin qytetarët afganë që në duar mbajnë dokumente, me shpresën se të njëjtat do t’u sigurojnë dritë jeshile për të hyrë në aeroport.

“Shihet se si atyre po u soset durimi duke pritur procesin e verifikimit të dokumenteve. Nuk e dimë edhe sa kohë do të jemi këtu. Por procesi I identifikimit po rrjedh”, tha një pjesëtar i ushtrisë britanike.

“Nëse kjo vazhdon të ndodhë asnjëri nga ne nuk do të marrë ndihmë. Unë dua të shkoj në Amerikë, kam bashkëpunuar me ata për 5 vjet”, u shpreh një shtetas afgan.

Ushtria gjermane tani ka konfirmuar se ka evakuuar 2,000 njerëz nga Kabuli, ndërkohë që 13 shtete janë treguar të gatshme për të pranuar refugjatë afganë. Ambasada amerikane në Afganistan i ka këshilluar qytetarët e saj që të shmangin udhëtimet në aeroportin e Kabulit për shkak të “kërcënimeve të mundshme të sigurisë”.

Luftëtarë opozitarë, besnikë ndaj qeverisë së përmbysur të Afganistanit rimorën të premten tre rrethe veriore nga talebanët, vetëm disa ditë pasi grupi islamik rivendosi kontrollin e tij mbi pjesën më të madhe të vendit. Udhëheqësija e lartë e talibanëve është raportuar të jetë mbledhur në Kabul, për të analizuar qeverinë e ardhshme, pas kthimit të grupit islamist në pushtet. Një zyrtar i lartë i talibanëve, i ka thënë agjencisë së lajmeve AFP, se bashkëthemeluesi i talibanëve Mullah Abdul Ghani Baradar, do të takohet në Kabul dhe “liderët xhihadistë dhe politikanët për krijim të një qeverie gjithëpërfshirëse. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von Der Lyen, ka deklaruar se BE nuk po zhvillon bisedime politike me talibanët. “Ne mund t’i dëgjojmë fjalët e talibanëve, por do t’i masim mbi të gjitha me veprat dhe veprimet e tyre. –tha Von Der Lyen. Sipas saj Komisioni ishte i përgatitur për të siguruar fonde për vendet e BE -së që ndihmojnë në zhvendosjen e refugjatëve, dhe ajo planifikoi të ngrejë çështjen e zhvendosjes në një takim të G7 javën e ardhshme.