Numri i rasteve të reja me Covid-19 ka shënuar rritje të ndjeshme brenda 24 orëve të fundit. Pas një kohe të gjatë, numri i rasteve të reja ka kaluar 100. Në mbarë vendin nga 5.276 teste të kryera janë regjistruar 164 raste të reja me Covid-19, prej të cilëve 60 vetëm në Tetovë, ndërsa 34 në Shkup, 21 në Gostivar. Në ndërkohë nga Instituti i Shëndetit Publik njoftojnë se janë shëruar 18 pacientë, shkruan Alsat. Si pasojë e infektimit me koronavirus, brenda 24 orëve jetë kanë ndërruar tre pacientë, dy nga Gostivari dhe një nga Shkupi. Që nga fillimi i pandemisë, në vendin tonë janë regjistruar gjithsej 156.707 raste, prej të cilëve 150.440 janë shëruar, kurse 5.497 kanë ndërruar jetë. Aktualisht në vendin tonë janë 770 raste aktive me virusin korona.