“Nëse Zogu e Zogistat, Balli dhe Ballistat janë në kësi mejtimi si dhe unë, atherë nuk janë të gabuar armiqt Maqedonas që ashtu më kualifikojnë. Unë në së pari jam Shqiptar me parime Nacional Demokratike pastaj jam cdo gja që ashtë për të mirën dhe lirin e Shqiptarëve dhe Shqipnis Etnike! Unë e dua Shqipnin Etnike të jetë e lirë dhe pronë e përjetëshme e shqiptarve e jo kështu si e kan qitë në telall e po e shesin disa tradhtarë shqiptarë për inate personale tue e coptue në katër copë: Sërbis, Maqedonis, Malit te Zi e tjerve që i di ti.”
Shkruan: Zeqirija IBRAHIMI, Shkup
Se nacionalizmi rilindës shqiptar kishte bijtë e tij, që dhanë jetën për atë ideal, është dëshmi edhe Murat Labënishti – një intelektual, atdhetar dhe luftëtar i rrethit të Strugës. Veprimtaria e tij intelektuale, që dëshmohet përmes shumë shkrimeve të botuara në periodikun e kohës, shkrimeve poetike, por veçmas përmes letrave që ia ka dërguar familjes pak para fundit të jetës, janë dëshmi e qartë se profili i Murat Labënishtit meriton respektin e thellë të mbarë kombit dhe mirënjohjen e të gjithëve që besojnë në idealet e shqiptarizmës.
Megjithatë, derisa po e bëjmë gati këtë artikull, përkundër shumë shkrimeve të Muratit, që i kemi në dorë përmes stërnipit të tij, Arben Labënishtit, konstatojmë edhe se mungojnë shumë të dhëna biografike dhe informacione të tjera për jetën e tij. Kjo edhe është arsyeja e vonesës së projektit të botimit të një vepre me shkrimet e tij dhe me studime për të, që sigurisht do të ishte mënyra më e mirë e prezantimit të këtij personaliteti të nacionalizmit shqiptar.
Të dhëna biografike
Nga të dhënat e pakta që i kemi siguruar nga familjarët dhe nga një shkrim i historianit Qerim Lita, i botuar në nr. 85 të revistës mbarëkombëtare “Shenja” (maj 2018), del se Murat Labënishti, sipas një dokumenti arkivor, është i lindur më 1912 në f. Labunishtë (sot Llabunishtë) të Strugës. Duke qenë në kushte të Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene, shkollimin fillor, në vendlindje, do ta bëjë në gjuhën serbo-kroate. Shkollimin e mesëm e përfundoi në Liceun e Shkodrës. Në disa dokumente del se e ka vijuar shkollën edhe në Sarajevë dhe, madje, sipas informacioneve të familjarëve, thuhet se ai ka qenë student i filozofisë në Sorbonë të Francës, një gjë që bie në sy edhe në interesimin e tij për filozofi në shkrimet e tij, por këto janë momente që akoma nuk janë ndriçuar plotësisht. Ka qenë njohës i mirë i frëngjishtes, turqishtes, italishtes e serbo-kroatishtes.
Ndonëse me arsim universitar, ai e pranon emërimin nga Mbretëria Shqiptare si nëpunës në Prefekturën e Peqinit. Me kapitullimin e Mbretërisë Jugosllave dhe krijimin e Tokave të Lirueme, Murat Labënishti kthehet në vendlindje, kësaj radhe në Ladorishtë, ku ndërkohë ishte vendosur familja e tij. Më 1943 e formon një komiteti nacionalist me karakter lokal dhe, me vendim të atij komiteti, formohet edhe Çeta Nacionaliste “Drini i Zi”, që ka për synim lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë Etnike.
Duke vepruar në këtë zonë, në periudhën 1943-1944 është kryetar i Komunës së Labunishtit, ndërsa në pjesën e dytë vitin 1944 e gjejmë si nënprefekt të Strugës, një detyrë që do të ndërpritet pasi që më 10 nëntor 1944 Struga me rrethinë u pushtua nga forcat komuniste jugosllave dhe ato komuniste shqiptare. Murati, bashkë me një grup prej më shumë se 100 luftëtarësh, bën rezistencë për më shumë se 20 ditë, por në pamundësi që ta mbrojë Strugën nga komunistët, ai u dorëzohet forcave komuniste shqiptare, ndërsa ato më 5 dhjetor 1944 e dorëzojnë te jugosllavët, të cilët e arrestojnë bashkë me katër vëllezërit e tij dhe e mbajnë në burg në Shkup. Falë aftësisë së tij, ai ia del të arratiset nga burgu dhe, madje, të ikë deri në Shqipëri, në zonën e Lumës, prej ku edhe i dërgon letrat e fundit.
Sipas Qerim Litës, që u referohet burimeve jugosllave, Murat Labënishti është vrarë, nga forcat komuniste shqiptare, diku kah mesi ose pjesa e dytë e vitit 1946 në zonën e Gjinovecit. Në bazë të një letre që e ka familja, të cilët e ka shkruar një nga pjesëmarrësit në ekzekutimin e tij, në çastin e vrasjes ai ka pasur me vete një biografi dhe disa libra, të cilat akoma nuk janë gjetur.
Personaliteti i Murat Labënishtit
Po të studiohen dokumentet që ekzistojnë për personalitetin e Murat Labënishtit, ai del si një njeri fort i angazhuar në jetën publike për idealet e tij, qoftë në vitet para Luftës, qoftë gjatë viteve të Luftës, kur ai shërben në detyra të rëndësishme drejtuese të zonës, por edhe më pas kur ai organizohet me pushkë për ta mbrojtur lirinë e popullit të tij.
Megjithatë, duke shpresuar se së shpejti do të botohet dokumentacioni për Muratin, si dhe shkrimet e tij të ndryshme në periodikun e kohës, që dëshmojnë për një intelektual të kalibrit të lartë, në këtë trajtesë do të ndalemi vetëm në tri letra që Murat Labënishti në vitin 1946 ia ka dërguar familjes së tij, për ta njohur në këtë mënyrë më për së afërmi personalitetin e tij.
Letra e parë, e dërguar nga Luma më 1 mars 1946, është për bashkëshorten e tij, Shyhrete Labënishtin, të cilën e ka nënshkruar me pseudonimin Shpend Gega (Mirza). Më datë 1 mars 1946 është edhe një letër tjetër, kjo për kunatën e tij, të shoqen e Ibrahimit (të cilën e ka nënshkruar me “Shpend Malsori”). Letra e tretë, njëherazi edhe korrespodenca e tij e fundit, është letra e përbashkët që ia drejton nënës, motrës dhe kunatës tjetër (gruas së Beqirit) dhe e mban datën 5 prill 1946, e dërguar po ashtu nga Luma me nënshkrimin “Murat Labunishti”.
Murat Labënishti – një patriot edhe si bashkëshort e si prind
Pas arrestimit të Muratit dhe të vëllezërve të tij më 1945, të njëjtin fat e kishte vuajtur edhe familja e tij. Bashkëshortja e tij ishte arrestuar bashkë dy djemtë e mitur, të cilët i kishin vdekur nëpër qelitë e ftohta të burgut. Megjithatë, Murati, në letrën që i dërgon asaj, del një burrë i fortë, që e inkurajon edhe të shoqen për këtë humbje:
Po, vërtet jemi ndamun por vetëm me trup, pse besoj unë që me shpirt e zemër jemi ma afër se sa kemi qënë. Unë të cmoj dhe shumë bukur boj llogari për ty se sa ke vuëjt për mua qysh para gjashtë vjetëvë dhe akoma po vuan e dij bukur. Vërtet ti po vuan si për mjete jetese ashtu edhe shpirtnisht ma fort për djemtë që të fluturuan për n’atë jetën tjetër.
Për të vazhduar më poshtë me shpjegime të tjera:
Por, edhe për Lulëzimin edhe për Skënderin që ti përlau nga duart engjëlli i vdekjes dhe i fluturoj në jetën e pa sosun, aspak most të vijë ligsht e keq, aspak mos u dëshpëro se, edhe ata u bonë viktima të atdheut shqiptar mbassi vdiqën për mjekime e mjete tjera të duhura për shërim. Të dy këto ëngjej të vegjël muarnë plevitën nëpër burgje me ty nanën e vet dhe kur gjith juve grat e fisit e të shtëpis sime dergjeshit në burg për lirin e Strugës Shqiptare. Po, djemt e mij vdiqën kur unë babaj i tyne torturohesha nëpër burgjet e krejt Maqedhonis si në Strugë, Ohër, Resnjë, Manastir Perlep, Qypërli, Shkup, Kërcovë e vende të tjera me qindra patriot Shqiptarë prej Struge e mijra shqiptar prej vendesh tjera! Prandaj mbasi Luloja e Skënderi shkuan viktima për cështjen shqiptare, ty as pak keq mos të vij për ta, por për kundrazi te gëzohesh e të mburresh që edhe neve i falmë tokës Shqiptare dy xhevairë për lirin e sajë. Unë do t’isha shum ma i kënaqur sikur të kisha edhe ma djem e vllazën që të vdesin e të rrinë e të kalben e torturohen nëpër burgje për lirin e panvarsin e Shqipnis Etnike. Besoj se më kuptove. Prandaj ashtë turp të mendojmë kaq e dëshpërohemi për djemtë se, sot po cduken koka shqiptarësh që e shkrin jetën e pasunin e vet për shqipni ma mirë se neve. Po të fitohet lirija do kemi edhe djem, e pa liri, në robni, s’ka c’na lypsen djem neve nacionalistave demokrat të sinqertë. Me një fjalë pra, për djemt mos mendo fare.
E sikur të mos i mjaftojnë ato që ia thotë bashkëshortes në letër për bijtë e tij, ai edhe një herë në P.S. do t’i kthehet kësaj teme:
Për cunat që të vdiqën as pak mos u dëshpëro se, neve nuk kemi lidh kontratë që ti të lindish djem ose vajza por mos na vdesin. Ata Zoti i dhuroj Zoti i mori, kurse kunora jonë nuk ashtë për cuna e vajza por për nji dashtuni të sinqertë morale e shoqnore. Pra dshtunija jonë bashkëshortore nuk varet ke djemt e ke vajzat, se ti as i helmove, as i vrave as i mbyte. Fati i tyne dhe joni ashtu qënka i caktuar.
Murati dhe dashuria për atdheun
Se ai nuk është luhatur aspak nga ajo që ka vuajtur, porse madje më shumë është forcuar që të vazhdojë të luftojë, merret vesh edhe nga rreshtat e tjerë të letrës, që ia ka drejtuar bashkëshortes së tij:
Para pes vjet ke vuajt vetëm për mua, e tash një vjet e gjysmë po vuan jo vetëm për mua por edhe për interesat kombtare të atdheut tand që ashtë shqipnija etnike dhe lirija e sajë. Pra, si një shqiptarkë fisnike, e ndershme dhe prej familje patriotash dhe si bashkëshorte e jeme duhet të vuajsh dhe nuk duhet me të ardhë keq sikur edhe me vdek prej bajonete ose prej plumbave! Cdo shqiptarkë nacionaliste duhet të vuaj e të vdesi për lirin e Atdheut e të Shqiptarve mbarë që janë në rrugën e vërtetë të së drejtave tona kombtare, shtetnore e politike. Pra, nuk vuan vetëm për mua por vuan edhe për veten tande se je shqiptarkë, se edhe ti ke pjesë si cdo shqiptarkë tjetër të marrish pjesë për të drejtat tona. Prandaj e ke detyrë të lindësh të rrosh e të vdec për lirin e panvarsin Etnike të Shqipnis mbarë.
Për kësi vuajtje mos të vijë keq se, ke me mijra shoqe që vuajnë edhe ma fort ashtu dhe burra shqiptarë patriota që po cduken cdo ditë nga thika e plumbat e tradhtarve të shitun pranë armiqve shekullorë të shqipnis së vërtetë
Ajo që bie në sy është se ai ka vlerësim të lartë për struganët patriotë, për të cilët – në letrën dërguar të shoqes – do të shkruajë:
Shqiptarët e strugës meritojnë të quhen shqiptarë. Bravo u qoftë me përjashtim të disa tradhtarve shqiptar të shitun dje në sërbi e sot në maqedoni si për shembull:… me shokët që e formuan Brigadën e IV në Strugë kontra Kërcoves, Gostivarit e Tetovës;……e disa palaco të tjerë që ashtë turp me i përfillue me gojë e të cilët formuan Brigadën e 4 Shqiptar-Maqedonase për me vra, djeg, rrafë, cnderue e rrezikue jetën e mijra shqiptarve të Strugës! E sapër sllav maqedonas nuk mbeti asnjë pa u përlye duart me gjak shqiptari në krejt shqiptarët 400 mijë që ja fali Enver Hoxha, Qen Elezi e vllaznit Haxhi Leshi me shokë opingës prej lëkure derri të maqedonasit të qelur bullgar të shkeli shqiptarët e ndershëm!
Orientimi politik nacionalist
Derisa i flet së shoqes për tema politike, ai shpjegon edhe orientimin e tij politik. Për këtë ai thotë:
Për mua kanë thënë nëpër procese e gazeta se jam Zogist e Ballist e Reaksionar. Jo. Kurrë, unë nuk jam si thonë ata vecse nacionalist demokrat që kërkon lirin dhe Independencën e Shqipnis Etnike. Nëse Zogu e Zogistat, Balli dhe Ballistat janë në kësi mejtimi si dhe unë, atherë nuk janë të gabuar armiqt Maqedonas që ashtu më kualifikojnë. Unë në së pari jam Shqiptar me parime Nacional Demokratike pastaj jam cdo gja që ashtë për të mirën dhe lirin e Shqiptarëve dhe Shqipnis Etnike! Unë e dua Shqipnin Etnike të jetë e lirë dhe pronë e përjetëshme e shqiptarve e jo kështu si e kan qitë në telall e po e shesin disa tradhtarë shqiptarë për inate personale tue e coptue në katër copë: Sërbis, Maqedonis, Malit te Zi e tjerve që i di ti.
Edhe në letrën e përbashkët që ia dërgon nënës, motrës dhe kunatës po ashtu flet për tema politike, duke i shpjeguar ato në organizimin familjar të familjes Labënishti. Për këtë ai shkruan:
Por, neve nacionalistat shqiptarë për këtë luftojmë që të lirohemi nga robërija ose të vdesim e të shuhemi të gjithë. Më 1944, shtëpija jonë u dogj, u plackit, u grabit dhe gjith neve djemt u burgosëm me shum shqiptarë të ndershëm që ala po vuajnë nga torturat, rrafjet dhe të këqijat që panë e po shofin ala disa nga këta nëpër burgjet e maqedonisë… Beqon e kërkojnë qent e maqedonis dhe disa tradhtarë të shqipëris se ka qënë komandant në Tiranë me Mentor Cokun dhe Ibraim Bej Bicakun dhe pse ka qënë në luftë kontra komunistave në Strugë, Dibër e Tirane. Shkurt, shtëpin tonë na ndjekin për keq sërbët, bullgarët, shopat maqedonë dhe komunistat pse kemi qënë dhe jemi kontra tyre se neve duam lirin tonë shqiptare.
As mua, as Beqos, as Braim e Nezir nuk na vjen keq edhe pse të vdesim për këtë qëllim të shënjtë, byle na vjen turp po qe se vdesim në shtëpi, në krevat e dyshek por të robëruar nga qent e maqedonis dhe tradhtarët e njerzis komunistat e poshtër. Neve nuk shitemi si lopët e bagëtit në pazar dhe nuk e qesim në telall të dashurën tokë shqiptare dhe gjuhën shqipe. Kush ka lindur një dite edhe do të vdesi e dashura nënë, keq mos të vij aspak për djemt e tu që ja ke falur shërbimit për vatan.
Burgosja dhe arratisja
Po në këtë letër ai flet edhe për burgosjen, gjyqin (që kishte ndodhur më 28 qershor 1945) dhe mënyrën e arratisjes:
E dashur nënë,
Gjyqi ushtarak i maqedonisë vërtet më dënoj 101 vjet por gjyqi i madh i Beligradit solli mendim me vdekje, të më dënojnë me pushkatim në shkup. Mua këtë punë ma dëfteu një mik i mirë dhe unë i mblodha shokët shqiptarë që kisha me vete si edhe Braim e Nezir e Bari Sejdini prej Jabllanice dhe shum kërcovas, gostivaras e të tjerë shqiptarë dhe, unë si kryetar i tyre i dhash urdhër shokëve dhe si vetëtima ja muarmë armët krejt rojeve të shopave që na ruanjin. Unë mora mitrolozin e komandantit. Pastaj i lidhmë ushtrin dhe hikëm. Mirpo Braimi e Neziri kishin të dy pushkë këta po hikën shumë përpara e mua më lanë. Unë u lodha se kisha mitrolozin në kra. Ushtria tjetër 600 shpirt na rrethuan në fushë të shkupit. Unë me 16 shokë hyra n’ujë në Vardar në ca rakida dhe nuk na pa ushtrija. Pushka e mitrolozat kërcisnjin më gjithë anët në neve që hikëm. Brigadat tjera i zun malet gjithë andej e gjer në tetovë, gostivar, kërcovë, porec, e përlep e kumanovë. Telefonat u dhanë në gjith maqedoni e sërbi për mua se kam hikur me shumë shqiptarë nga burgu. U zun gjithë rrugët, fushat e malet me ushtri e milici. Braimi me tajfën e vet dhe Neziri duket se e gabuan rrugën dhe ranë në mes të ushtrive të shumta, unë sot nuk di asgjë për Braimin dhe Nezirin pse u zunë ose u dorzuan vetë. Vetëm se e di që janë gjallë po nuk di si janë, qysh janë. Si rrodhi puna e tyre të më shkruani gjatë e gjërë, po shumë me mend.
Unë me shokët e mij erdha në kërcovë dhe aty bom shumë pushkë. Prej kërcove erdha në malet e vendit tonë në strugë por kishte shumë ushtri maleve e katundeve shqiptare e maqedone. 22 ditë pa bukë, vecse me ujë, kumbulla e gorrica të egra maleve. Dola në Cermenikë prej atje me miq dola në Mat e Lumë në male bashkë me Nazimin vllain e Braimicës. Edhe prej ati keni shum të fala të gjithë e pak ma tepër ka të fala vllaznore motra e tija Ikeja. Kemi shkuar dhe shkojm mirë me Nazimin si edhe me gjith miqt e tjerë. Nga burgi i Shkupit në Idrizovë kam hikur me shokët ditën e tretë të bajramit të Madh, ka qënë e hënë më 10 vjeshtë e parë 1945 (alla frënga ta dini).
Për temën e burgosjes i shkruan edhe së shoqes, të cilën e njofton me informacionet që gjenden edhe te letra e përbashkët, dërguar nënës, motrës dhe gruas së Beqirit, por në letrën që ia dërgon gruas së tij shkruan edhe për ata që e kanë dorëzuar te jugosllavët:
E dashur Reti, mbassi nuk jam i sigurt a do të shihemi bashk edhe një herë, dua me të tregue edhe pak fjalë rreth burgimit tem: Nga tradhtarët komunist të Dibrës dhe Peshkopis (shqiptarët) u thirra si mysafir në Peshkopi. Po ata si Esat Ndreu, Faik Shehu, Haki Kuci (Shehu), Siri Strazimiri, Majuni, Ahmet Jegeni, Lutfi Rusi (ma vonë), Agollat Nexhat e Qemal në bashkëpunim me tradhëtarët e tjere te Shtabit Divizionit të 4 Shqiptar në Peshkopi si Pëllum Dishnica, Qamil Guranjaku… (rreshta të pa lexueshëm – shënimi ynë)… prej Peshkopije më dorëzuan në dorë të maqedonve me gjith shokë si një tufë bagti në dor të ujkut e arushës. Kët poshtërsi kan bo disa nga tradhtarët e Shqipnis së mjerë.
“Shitni këpucët e mia e blini bukë!”
Duke mbetur shtëpia vetëm në gra dhe fëmijë, gati pa kurrfarë të ardhurash, është shumë prekës momenti kur ai i shkruan gruas, por edhe kunatës së tij (gruas së Ibrahimit), që nëse duhet, le t’i shesë këpucët ose rrobat e tij, që të mund të ushqehet:
Reti, në je në zor për ushqim e veshmbathje shit njanin nga kostumet e ri të mija që bona dhe shit edhe njanën palë këpucë vetëm mos vuaj.
Megjithatë, ai nuk e vuan aspak mirëqenien ekonomike. Në letrën dërguar bashkëshortes, ai do t’i shkruajë fjalitë legjendare:
Sa për pasunit, që na i muarnë e që na i dogjën Maqedonët tradhtarë me shqiptarët e fëlliqur e të shitur, mos të vijë keq aspak. Se, pasuni, mall e pare ashtë lirija e shqipnis dhe e shqiptarve. Pa liri s’dua me jetue prandaj s’duet me pasë as kurgja vecse përpjekje për liri deri në minutën e fundit.
Amaneti i fundit
Ndërkohë, ai e vëren se lufta kishte marrë fund dhe se do të ishte shumë vështirë të shpëtonte, andaj ai në të tri letrat sikur e paralajmëron fundin e tij. Në letrën që ia nis bashkëshortes së tij, në fund shkruan:
E sa për ty, skam ctë them, me qenë se krejt pasunija m’u grabit konfiskue e mu doq, skam me të lanë mjete jetese mbas vdekjes teme, me qenë se nuk ke as nji fëmi dhe je e re je e lirë me kërkue fat të ri se kjo botë kështu e ka. Skemi ctë bojm. E në dac të rrish pa u martue duhet të mendohesh mirë që fundi të jet me nder e jo me turpe. Mundesh me ndejtë ke vllaznit e mij ose boni si të jëtë ma mirë, e ma e pëlqyeshme për të dy palët.
Këtë paralajmërim e kemi edhe në letrën që ia dërgon kunatës (gruas së Ibrahimit):
E dashura nanë e ti Mine e Beqojcë, Shyhreti letë ruaj shëndetin e vet e mos cajë kokën për cunat cë më vdicën se kur unë nuk mërzitem ajo nuk duhet aspak me u mërzit. Pse po qem gjallë Zoti gjene da na gëzojë e po vdiqa unë Shyhreti ska cpret: duhet të kërkoj fat tjetër.
Ndërkaq, një fjali të tillë e gjejmë edhe te letra dërguar nënës, motrës dhe kunatës tjetër:
Po mbeta gjallë do jem shumë më mirë se kam qënë e po vdiqa, rrovshin vllezrit dhe nipërija nacionaliste se punët e mija ku i pata i kreva me gjith zemër.
Po e përfundojmë këtë shkrim duke e cituar edhe një fragment nga letrat e tij, ku ai – mbase duke e parë se nuk ka rrugëdalje tjetër – lë testamentin e fundit. Kështu në letrën për kunatën e tij, ai mes tjerash thotë:
Ruajuni shum se shkoni në burg edhe juve gratë. As me goj mos u lavdëroni as me njeri mos fjalosni llafe për mua juve mjaft ta dini se jam gjallë e në vdeksha rrofshin vllaznit e Shqipnija Nacionaliste e gjithë patriotat e Atdheut! Unë sa munda e bona detyrën temë kundrejt Atdheut Shqiptar dhe po ashtu edhe oxhakut tem dhe Strugës as i kam lanë as po i la ndonji turp me emrin e Zotit. E vrasjen e vdekjen e kemi hak. Sot po vriten patriota shqiptar edhe ma të fortë se unë! Nuk duhet të më cajë as nana, as motrat, as Shyhreti, as fisi e nacionalistat e Strugës e Shqiptarët që më njofin. Jam rritë me ushqimet që ka pasë Atdheu im Struga shqiptare, prandaj e kam borxh nanës teme Shqipni e strugë tia fal nje grusht gjak! Dhe as pak nuk duhet tu vij keq as vllazënve Beqo, Kadri, Braim e Nezir e Nipërve e fisit tem pse unë ndoshta vritem ose vdes tue vuajtë maleve! U linda për Lirin e Shqipnis Etnike. Rrojta po për kët qëllim dhe dëshiroj me u shtri mi tokën e atdheut tem Shqiptar po për kët ideal të naltë e të shenjtë. Unë kështu dëshiroj dhe vllaznit e mij të vdesin si dhe gjith patriotët e ndershëm shqiptarë.