Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) njoftoi se në Afrikë vazhdon rritja e rasteve me COVID-19 dhe se java e kaluar ka qenë java më e rëndë sa i përket numrit të rasteve.
Drejtori rajonal i OBSH-së për Afrikën, Dr. Matshidiso Moeti, në konferencën e tij javore për media tha se kontinenti javën e kaluar ka thyer një rekord të ri duke kaluar kulmin e valës së dytë dhe se numri i rasteve ka shënuar rritje me 251 mijë në krahasim me javën e mëparshme.
Pasi informoi se rastet e reja janë rritur në javën e shtatë radhazi, Moeti tha se “Për Afrikën nuk është përjetuar ende më e keqja”.
Ai theksoi se vazhdon rritja e rasteve në 16 vende dhe se në këto vende ku vazhdon rritja është regjistruar varianti Delta. Moeti tha se kontinenti ka vështirësi në mbledhjen e informacionit lidhur me variantin e virusit.
Sipas tij, në Afrikë janë vaksinuar plotësisht 16 milionë persona dhe kjo korrespondon me 1.6 për qind të vaksinimeve në botë.
Numri i viktimave si pasojë e virusit në Afrikë ka tejkaluar 149 mijë ndërsa numri i rasteve mbi 5.8 milionë.