Sëmundja më e rëndë!
Falënderimi i takon vetëm Allahut i Cili na mundësoi që ta shijojmë ëmbëlsinë e imanit. Allahun e falënderojmë dhe prej Tij ndihmë kërkojmë.Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi Muhamedin a.s. dhe mbi gjithë njerëzinë.
O ju krijesat e Allahut, besojeni dhe falenderojeni Allahun i Cili ju krijoi dhe përsosi në formën më të bukur: “O ti njeri, po ç’të mashtroi ty kundrejt Zotit tënd që është bujar e i urtë? I cili të krijoi, të përsosi dhe të drejtoi. Të formësoi në formën që Ai dëshiroi!”. Infitar ,ajeti 6-8.
Çdo njeri duhet të mos harrojë se është i përbërë nga shumë organe dhe se çdo organ i joni ka një funksion të veçantë dhe nëse të sëmuret një organ do të privohet nga funksioni i tij pjesërisht apo tërësisht. Nëse sëmuret dora do të privohet nga puna, nëse sëmuret syri do të privohet nga shikimi që të mundëson të shohësh mrekullitë e Zotit.
Nëse sëmuret zemra nga mëkatet do të privohet nga puna e veçantë për të cilën është krijuar e ajo, është dituria, urtësia, njohja dhe dashuria e Allahut dhe adhurimi i Tij. Sëmundja e zemrës është sëmundje që shërohet me vështirësi dhe është sëmundje e fshehtë të cilën nganjëherë poseduesi i saj e neglizhon, dhe shumë rëndë “shërimi” i saj për arsye se për shërim të saj nevojitet kontrollimi dhe menaxhimi i epsheve. Zemra është organi kryesor dhe burimi i lumturisë apo i vuajtjeve të tyre dhe burimi i përmisimit apo i shkatërrimit të tyre.
I Muhammedi a.s. ka thënë: “Me të vërtetë në trup ndodhet një copë mishi, nëse ajo përmisohet i gjithë trupi përmisohet e nëse ajo prishet i gjithë trupi shkatërrohet, ajo copë e mishit është zemra”.
Ky hadith na tregon se përmisimi i veprave të njeriut mvaret nga përmisimi i zemrës dhe shkatërrimi i veprave të njeriut mvaret nga dobësimi i zemrës. Zemra më e mirë është zemra e pastër dhe organ më i rëndësishëm i njeriut tek Allahu: “Në Ditën, kur askujt nuk do t’i bëjë dobi as pasuria, as fëmijët, përveç atij që vjen me zemër të pastër tek Allahu!”. Shuara ,ajeti 88-89.
A nuk ka ardhur koha për besimtarët e vërtetë, që zemrat e tyre të përulen para këshillave të Allahut dhe para së Vërtetës që Ai ka shpallur”. Hadid 16.
Allahu xh.sh. na ndihmoftë!