Komisioni për Sëmundje Infektive ka propozuar që nga 1 qershori të hiqet mbajtja e detyrueshme e maskave në ambient të hapur. Kurse nga 15 qershori, të nisin me punë restorantet e dasmave, vetëm në ambient të hapur, me maksimum deri në 100 mysafirë. Ndërsa propozon që ora policore të mbetet në fuqi edhe më tej.
Venko Filipçe, ministër i Shëndetësisë
“Komisioni ishte i qëndrimit se mundet të lejohet lehtësim shtesë i masave restriktive. Në këtë drejtim, maskat të mos jenë të detyrueshme në ambient të hapur, të mos vlejë ndalesa për grupime, ndërsa në formë propozimi është që qytetarët nëse grupohen të kenë parasysh se maska është mbrojtje e shëndetit të tyre. Lejohen festat e organizuara, si dasmat, në numër maksimal deri në 100 të pranishëm në ambient të hapur dhe kapaciteti të mos jetë i plotësuar më shumë se 50%”.
Më tej sqaroi se numri i personave që ulen në një tavolinë do të jetë deri në 6 persona. Ndërsa kjo vlen jo vetëm për restorantet e dasmave, por edhe për të gjitha objektet hotelierike.
Venko Filipçe, ministër i Shëndetësisë
“Pra do të mund të ketë dasma me muzikë. Numri i mysafirëve jo vetëm në restorantet e dasmave por në të gjitha objektet hotelierike prej tani do të jenë në 6 persona në tavolinë. Ndërsa ajo për të cilën po punojmë këtë javë dhe do të bëjmë protokolle të duhura, që do të vlejnë nga 10 ose15 qershor, janë organizimet e eventeve dhe koncerteve, sepse këtu ka specifika”.
Filipçe, njoftoi se javën e ardhshme pritet të arrijnë 20 000 vaksina donacion nga Greqia dhe 50 000 vaksina nga Bullgaria. Në mënyrë shtesë në qershor priten vaksinat e Fajzer, përmes marrëveshjes direkte me prodhuesin dhe vaksinat përmes sistemit Kovaks dhe vaksinat kineze. Ndërsa nuk dihet se kur do të arrijnë vaksinat ruse. Ata duhej të arrinin deri në fund të muajit maj. Deri tani janë vaksinuar 230 000 qytetarë.
Për shifrat e larta të të vdekurve ministri tha se bëhet fjalë për rastet më të rënda që mbeten nëpër spitale. Siç e dijmë, ai shtoi se sipas përvojës, ata që janë me pasqyrë të rëndë, në gjendje të vështirë, në respiratorë, shanset janë të vogla që të shpëtojnë. Përndryshe ende ka raste të vështira në repartet infektive.