Kryetari i BFI-së në RMV, udhëhoqi delegacionin e Ramazanit në Myftininë e Strugës

REISI UDHËHOQI DELEGACIONIN E RAMAZANIT NË MYFTININË E STRUGËS

Delegacioni i Ramazanit i udhëhequr nga Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame në RMV, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, të enjtën më 06.05.2021, vizitoi Myftininë e Strugës dhe xhematet në xhamitë e kësaj Myftinie. Delegacioni i përbërë nga udhëheqësit e sektorëve të Rijasetit dhe profesorë të Fakultetit të Shkencave Islame dhe Medresesë Isa Beu i bënë vizitën zyrtare Myftinisë së Strugës për hirë të muajit të Ramazanit.
Fillimisht mysafirët u pritën nga Myftiu i nderuar i Strugës, H. Salim ef. Sulejmani i cili për nder të mysafirëve (Delegacionit të Strugës dhe Delegacionit të Ohrit) shtroi iftar në të cilin ishte prezent edhe Kryetari i Komunës së Strugës z. Ramiz Merko. Pas iftarit, të gjithë anëtarët e delegacionit u njoftuan me plan programin dhe u shpërndanë nga operativa e Myftinisë së Strugës nëpër xhamitë e qytetit Strugës dhe fshatrave e rrethinës, ku udhëhoqën xhematet në faljen e namazit të Jacisë dhe Teravisë.
Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame në RMV, Reisul Ulema H. Hfz. Shaqir ef. Fetai dhe Myftiu i Strugës Mr. Salim ef. Sulejmani, vizituan xhaminë e poshtme të fshatit Labunishtë. Në këtë xhami, Reisul Ulemaja udhëhoqi me faljen e namazit të Jacisë. Ai më pas mbajti edhe një ligjeratë në gjuhën maqedonase për xhematin e kësaj xhamie, duke theksuar mes tjerash se Ramazani është muaji në të cilin duhet të mbretërojë humanizmi i vërtetë, ku muslimani duhet të hapërojë sipas mësimeve të islamit, ku veprat e mira duhet të rezatojnë në të mirë të shoqërisë dhe islamit në përgjithësi.
Reisul Ulemaja gjithashtu përmendi edhe faktin e patjetërsueshëm, se falë besimit të paluhatur që kanë besimtarët e këtij nënqielli, Bashkësia Fetare Islame dhe besimtarët muslimanë në Maqedoninë e Veriut posedojnë mbi 700 xhami, të cilat udhëhiqen nga mbi 1200 imamë, kuadër i formuar dhe edukuar në vend, në Medresenë Isa Beu me pesë paralelet e saj të shtrira dhe Fakultetin e Shkencave Islame, falënderuar kontributit, zemërgjerësisë, bujarisë, vetëdijes dhe imanit të palëkundur të besimtarëve të këtij nënqielli, të cilët gjithmonë kur është në pyetje islami, ata reflektojnë fuqishëm dhe bëhen pararojë e fjalës së Allahut Fuqiplotë. Prandaj ky është një motiv shtesë dhe shtytës i fuqishëm, e mbi të gjitha obligim moral i çdo të punësuari të Bashkësisë Fetare Islame, që nga maja e deri në fund, që të jenë në shërbim të vazhdueshëm të besimtarëve muslimanë dhe shoqërisë në përgjithësi.
Myftiu i Strugës, Mr. Salim ef. Sulejmani poashtu mbajti një fjalim, në të cilin e përshëndeti Reisul Ulemanë dhe stafin e Kabinetit të Reisit, për këtë vizitë mjaft domethënëse si dhe xhematin e xhamisë së Poshtme të fshatit Labunishtë. Ai foli për programin tradicional dhe organizimin e aktiviteteve të mrekullueshme të kësaj xhamie gjatë muajit të Ramazanit.
Edhe H. Jakup ef. Qazimovski, poashtu e falënderoi Kryetarin e BFI H. Hfz. Shaqir ef. Fetai, për dëshirën e shprehur që ta viziton këtë xhami dhe këtë xhëmat, si dhe për ligjeratën e mrekullueshme drejtuar xhematit të fshatit Labunishtë.
Paraprakisht, një ditë më herët, Myftinia e Strugës në bashkëpunim me OH Hilal bëri shpërndarjen e organizuar të 200 paketave me ndihma humanitare për të gjithë nevojtarët që gravitojnë në këtë Myftini, sipas listave të përpiluara paraprakisht nga këshillat e xhamive.