Kreu i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela ka pranuar një lajm të keq sot. Mësuesi i tij i parë, Fuat Dika ka ndërruar jetë. Ja si e kujton Sela mësuesin e tij dhe lajmin e hidhur për ikjen e tij nga kjo botë.
Përballje me sfida dhe teket e përditshmërise, copëza kujtimesh të bukura, dhe një ditë shuhet gjithcka. Të këto copëza kujtimesh të bukura është prindi, familja fëmijëria dhe çastet e saj, aroma e ditës së parë në shkollë, Mësuesi!
Të falemnderit Mësues që më ktheje çdoherë në kujtimet e bukura të ditëve të shkollës fillore sa herë që të shikoja. Nuk kishte ndjesi më të mirë tek të shikoja rreth të nëntëdhjetave në moshë dhe më nderoje në tubimet e mitingjet partiake, ti vazhdoje të ishe mësuesi per mua.
Nuk kishte ndjesi më të mirë për mua sa herë që të zgjasja dorën për të përshëndetur mësues, megjithëse unë në moshë mesatare çdoherë pranë teje ndihesha ai fëmija 7 vjeçar i dikurshëm. Sot mora vesh se Mësuesi ka nderruar jetë!
Mu duk për një moment se bashkë me ty vdiqën edhe kujtimet e mia për femijërinë, por jo ata janë aty, ashtu siç edhe ti i dashur mësues do jesh pjesë e këtyre kujtimeve për sa kohë jetoj, por e vërteta është se sot bashkë me ty morën fund emocionet e fëmijës që ndjeja sa herë që të takoja. Kur të takoja ty i shihja gjithë shokët e shoqet e klasës tani të shpërndarë anekënd botës e të rritur por që prezenca e jote mi rikthente në kujtesë ata fytyra të vogla e të njoma e aq të pafajshme. Kur të takoja ty mësues, ishin ndër ata momentet e rralla mësues kur ndjehesh i vogël ne prezencën e dikujt e që me këtë ndihesh mirë. Ndihesha mirë mësues sepse ti ishe Fuat Dika, Mësuesi i madh. Pusho në paqe e në parajsë mesues, pusho…