Strugë, fundjava e festave ringjall turizmin

Festa e 1 majit dhe festa e besimtarëve ortodoks, Pashkët, sot kanë filluar të mbushin rrugët e këtyre dy qyteteve. Kapacitet e hoteleve për këto ditë janë sado pak të mbushura, hotelet më të mëdha janë mbushur deri në 50%, ndërsa pritej më shumë. Megjithatë ata shpresojnë që nga fundi i muajit maj të fillojë fluksi i turistëve. Kètë fundjavë të shumtë janë mysafirët vendas nga qytete të tjera të Maqedonisë së Veriut, por edhe turistë nga shtetet fqinje, Serbia dhe Mali i zi. Pritej që të ketë turistë edhe nga Shqipëria dhe Bullgaria por për shkak se kërkohet test PCR dhe karantinë dy javore, nuk do të ketë mysafirë nga këto vende.

“Rezervime për këtë fundjavë të zgjatur ka, por nuk është mjaftueshëm. Sigurisht ende ekziston rreziku, frika dhe kufijtë ende nuk janë hapur siç duhet. Më shumë se 50% nuk është, normal aq ishte edhe koha sa edhe u përgatitëm pas hapjes. Ishte mundësi e mirë për këtë vikend sepse ishin dy festa, por ky është realiteti.”, tha Erhan Papraniku, pronar hoteli në Strugë.

Edhe në komunën e Vevçanit pritet një fluks turistësh këtë fundjav, ndërsa vizitorët e parë kanë arrit sot në mëngjes. Nga komuna lajmërojnë se të gjitha kapacitetet janë të rezervuara.

“Vevçani ka kushte ideale për distancë sociale, shëtitje, natyrë të mirë dhe restorante të mira. Në përgjithësi, ne kemi predispozita të shkëlqyera për këtë lloj turizmi.”, tha Sasho Jankoski, kryetar i komunës së Vevçanit.

Autoritetet lokale dhe shëndetësore apelojnë qytetarët që të kenë kujdes maksimal gjatë festave me qëllim që situata epidemiologjike të jetë nën kontroll.