Drejtëpërsëdrejti e në Panik! – Prof. Dr. Agron Kurtishi nga Struga

Mënyra e komunikimit në kohën e virusit

Nga Agron Kurtishi

Kriza e koronës është një rezultat i botës së globalizuar dhe të mediatizuar. Informacionin rreth e rrotull virusit, duhet të mësohemi si ta përhapim dhe si ta përpunojmë dhe kjo duhet të bëhet urgjentisht. Shoqëria jonë, ashtu si shumë shoqëri të tjera (përveç shoqërive të zhvilluara) ka rastisur dhe është marrë me vete (me inercionin) në këtë zhvillim (edhe pse nuk ka qenë e gatshme) dhe nuk e dozon dot ndikimin, i cili mund të dalë shpejt nga kontrolli. Përkundrejt shoqërive të zhvilluara, shoqëria jonë është shumë e mbingarkuar në kohën e virusit dhe informacionit që përhapet mbi të. Nëse në shoqëritë e zhvilluara virusi është një shqetësim i vogël, në shoqërinë tonë (mbarëshqiptare) ky shqetësim i vogël mund të kthehet në panik, edhe për faktin që në shoqërinë tonë nuk ka ose ka shumë pak analiza, eskpertë, media të pavarura, shoqata ose organizata dhe mendime alternative. Pyetja që mund ta parashtroj në këtë pjesë do të ishte: a do të ishim në të njëjtën gjendje nëse nuk do i kishim informacionet nga mediat? Nuk do të kishte aq shumë lajme, aq shumë informacione, aq shumë lidhje të drejtëpërdrejta, aq shumë konferenca për shtyp (disa herë në ditë), aq shumë video dhe postime çdo minutëshe, nuk do të kishte mendime të ekspertëve të fushave adekuate, statistika dhe me këtë edhe frika ose panika nuk do të ishte aq e madhe. Por, JO. Ne jetojmë në një formulë dhe jemi futur në një atmosferë të njëkohshmërisë totale dhe me këtë edhe e vuajmë që çdo ditë marrim një mbidozë të ngjarjeve nëpër botë. Të gjithë jemi vetëm një klik larg njëri-tjetrit.

Nga aspekti i komunikimit masiv, sot kemi të bëjmë me një histeri masive moderne. Nëse ç’kyçemi nga interneti, a hiqet me këtë edhe virusi? Frika? Nuk e di. Mirëpo një pyetje e kisha: Si mund të dallohet kujdesi i arsyeshëm nga frika e keqe? Dhe si mund të bëjmë ne, si qenie emocionale që jemi tani, të zhvillojmë mënyra komunikuese për t’u marrë me pasigurinë kërcënuese? Mjekët thonë që në mjekësi 1+1 nuk bëjnë 2. Edhe në aspektin e komunikimit të informacioneve nuk ka një recetë të saktë se si do të jepet dhe si do të merret informacioni sepse sjellja përkatëse e informacionit dhe e komunikimit varet nga pozita e marrësit dhe vetë personi, roli i personit, situata e veçantë si dhe faktorë të tjerë. A jeni gazetar, profesionist i shëndetit publik apo konsumator mediatik ose një punëtor i thjeshtë? Te secili prej nesh komunikimi i informacionit mund të pranohet ndryshe.

Në situatën aktuale të pasigurisë së përgjithshme informative ka një pergjegjësi shumë të madhe ne lidhje me informimin e drejtë dhe përzgjedhjen e fjalëve, fjalorit dhe mënyrën e komunikimit të tyre drejt një publiku masiv. Me sa duket pandemia nga korona nuk na ka ndryshuar vetëm jetën tone, por edhe fjalorin tonë të komunikimit: nga gazetarë, politikanë, ekspertë të fushës, virologë, biologë, epidemiologë, mjekë etj., dëgjojmë gjithmonë e më shumë fjalë si “ne jemi në luftë” (me virusin) dhe duhet të mbajmë “distanca sociale” (për mendimin tim do të ishte më pak e frikshme fjalia “distancë hapësinore, fizike ose trupore, por këtë analizë le ta bëjnë më mirë gjuhëtarët), sepse përdorimi i këtyre fjalëve mund të keqkuptohet. Sidomos komunikimi i politikanëve është shumë serioz dhe pikërisht ata përdorin fjalë si: armik, luftë, viktima, front (vija e parë e frontit), frikë, tension, gjendje e jashtëzakonshme, izolim, karantinim, orë policore, vija e parë e zjarrit, bonus lufte, fazë kritike, rrezik, masa mbrojtëse, sfida, mbyllje kufijsh, forca të përbashkëta e të ngjajshme dhe pikërisht këto fjalë janë të zhargonit luftarak. Nga ana tjetër, pasi i përdorin këto fjalë luftarake na thonë të mos bëjmë panikë. Kjo nuk ndodh vetëm te ne. Edhe Presidenti amerikan Trump tani krenohet se është një “president i kohës së luftës” në luftën kundër virusit. Guvernatori i Nju Jorkut, A. Cuomo krahason maskat me “raketat” në betejë. Presidenti francez E. Macron thotë si pa e menduar aspak: “Ne jemi në luftë” (dhe në fjalimin e tij ai e përdori fjalën luftë plotë 6 herë). Këta lloj komunikimesh përdoren kur kemi të bëjmë me p.sh. aksidente bërthamore, tërmete, katastrofa natyrore dhe pa dyshim në luftë.

Këta fjalë i komunikohen gjatë gjithë ditës popullatës në mbarë botën dhe njerëzit nëpër botë kanë krijuar një ndjenjë frike, dekurajimi dhe paniku. D.m.th. të gjitha fjalët e përzgjedhura çdo ditë nëpër të gjithë mediat të çojnë drejtëpërsëdrejti e në panik. Shumë persona japin deklarata nëpër media të ndryshme dhe janë të mendimit se asgjë nuk do të jëtë më si më parë. Këta janë fjalë dhe mënyra të komunikimit që vërtet të demoralizojnë. Dhe, pikërisht këtu mund të themi që është vërtet fjala ajo që humbi pafajsinë e saj. Fjala dhe komunikimi të ofron ngushëllim dhe të krijon rend në kaos. Ne kemi edhe shprehjen që fjala zbut edhe gurin. Nejse, përsëri mendoj që gjuhëtarët do të duhet të angazhohen pak më shumë në kësi çështjesh.

Mediat, ekspertët, mjekët dhe sidomos politikanët të mendojnë më mirë për komunikimin e tyre kundrejt shoqërisë. Virusi korona do të kalojë, por virusi, i cili pengon komunikimin adekuat kundrejt shoqërisë ndoshta do të marrë më shumë kohë për t’u kuruar dhe shpresoj që ky shkrim të jetë një vaksinë për të gjithë ata që do t’i kumtojnë komunikime të ndryshme shoqërisë sonë këtej e tutje.

Në zhurmën e përgjithshme të lajmeve të këqija – përveç gjithçkaje që shqetëson, frikëson dhe trishton – gjithashtu bëhet e dukshme një mundësi e madhe, e bukur, që është se ne njerëzit do të dijmë përsëri të komunikojmë dhe të sillemi me njëri-tjetrin njëlloj si më parë, jam i sigurtë që edhe më mirë. Virusi dhe komunikimi mbi të, vërtet na kanë kufizuar shumëçka, por njëkohësisht na është hapur një derë tjetër, të cilën në kohën e sundimit të masmediave, globalizmit dhe dinamizmit të jetës sonë, thuajse e humbëm dhe kjo është njohja e vetes, familjes, të afërmve dhe shoqërisë.

Autori është profesor dhe udhëheqës i programit studimor “Media dhe Komunikimi Ndërkulturor” në Universitetin “Nënë Tereza” Shkup.