Nëndetësja e zhdukur rezulton e fundosur, asnjë shpresë për 53 anëtarët

Nëndetësja me 53 persona në bord, që u raportua e zhdukur në brigjet e Balit, rezulton e fundosur. Autoritetet indoneziane raportuan se bazuar në gjetjet e disa mbetjeve, mjeti lundrues është fundosur në det. “Me prova autentike që besohet të vijnë nga KRI Nanggala, ne kemi ndryshuar statusin nga “e zhdukur”, në “e mbytur”, u tha zëdhënësi i Marinës gazetarëve, duke shtuar se sendet e gjetura nuk mund të vijnë nga një anije tjetër.

Shpëtuesit gjetën disa objekte, duke përfshirë pjesë të një pllake për silurët dhe një shishe vaji që besohet se përdoret për të vajosur periskopin. Sipas kreut të Marinës Indoneziane, Yudo Margono, nëndetësja është zhytur zyrtarisht dhe nuk ka asnjë shpresë për të gjetur 53 anëtarët e ekuipazhit gjallë.

“Ne kemi zbuluar mbetje në zonën ku ajo u zhyt për herë të fundit”, theksoi ai. Zyrtarët shpjeguan se furnizimi me oksigjen ka përfunduar në orët e para të së shtunës, me kohën lokale.