Struga në shumë drejtime ka ecur dhe është bërë shumë më e pasur materialisht, por duhet thënë se është varfëruar tejmase nga pikëpamja intelektuale dhe kulturore. Qyteti që dikur ishte një stacion i lakmuar i elitës intelektuale mbarëshqiptare, sot gradualisht po kthehet në një qytet province. Qyteti ku rehatinë intelektuale e gjenin poetët dhe shkrimtarët më të mëdhenj të hapësirës shqiptare, duke filluar nga Kadareja, Agolli, Spahiu, Zhiti, Shkreli, Mekuli dhe shumë emra të njohur të letrave shqipe, sot është shndërruar në tablo-tallje dhe ironie: ”si qyteti ku diplomohesh – mjafton të regjistrohesh”
Nga Patriot LUMANI
Si strugan, të gjithëve na ka rastisur opinioni pozitiv që shqiptarët e trevave të tjera kanë patur karshi nesh. Ky opinion pozitiv që ne kemi hasur për qytetin tonë në Tiranë, Prishtinë apo në treva të tjera, nuk ka ndodhur rastësisht se ne jemi më të mirët ndër shqiptarët (larg asaj), por ai ka ardhur si rezultat i idealizmit dhe gjurmëve që kanë lënë struganët në këto treva gjatë rrugëtimit të tyre jetësor apo intelektual. Ishin me dhjetëra familje të elitës strugane që kontribuuan në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë, që pas mbetjes së Strugës në këtë anë të kufirit, u vendosën në Elbasan e Tiranë, duke e përçuar emrin e mirë të qytetin tonë në Shqipërinë politike dhe fuqishëm kontribuuan në jetën kulturore dhe të gjithanshme atje. Ishin me dhjetëra mësues idealistë me origjinë nga Struga, që u mësuan shkronjat shqipe për herë të parë fëmijëve, pothuajse në çdo vendbanim shqiptarë të Maqedonisë pa përjashtuar edhe Kosovën pas vitit 1945.
Padyshim, ishin dhe janë me qindra studentë dhe profesor, që emrin e qytetin tonë e prezantuan denjësisht jo vetëm në Prishtinë, por në mbarë Kosovën. Pra, me pak fjalë, emrin e struganëve kudo në hapësirën shqiptare e kanë lartësuar struganët e mirëarsimuar me bërthamë të fortë kombëtare pa përjashtuar veprimtarët struganë të kauzës që ishin aktiv në çdo lëvizje kombëtare- çlirimtare. Por, mbi të gjitha – “brendi i struganëve” ishin intelektualët profesionistë që ky qytet ka nxjerrë në dekada. Pra, ishin këta misionarë që lartësuan emrin dhe veçorit më të mira të struganëve si qyteti i intelektualizmit dhe kulturës. Është fakt i ditur që Universiteti i shqiptarëve në Maqedoni u themelua në Tetovë, por pothuajse të gjithë dekanët e fakulteteve ishin nga Struga dhe kjo nuk ndodhi rastësisht, por në atë momentum historik – qyteti i Drinit të Zi dispononte kuadrin e domosdoshëm për funksionimin e atij institucioni.
POR SOT KU JEMI ?
Struga në shumë drejtime ka ecur dhe është bërë shumë më e pasur materialisht, por duhet thënë se është varfëruar tejmase nga pikëpamja intelektuale dhe kulturore. Qyteti që dikur ishte një stacion i lakmuar i elitës intelektuale mbarëshqiptare, sot gradualisht po kthehet në një qytet province. Qyteti ku rehatinë intelektuale e gjenin poetët dhe shkrimtarët më të mëdhenj të hapësirës shqiptare, duke filluar nga Kadareja, Agolli, Spahiu, Zhiti, Shkreli, Mekuli dhe shumë emra të njohur të letrave shqipe, sot është shndërruar në tablo-tallje dhe ironie: ”si qyteti ku diplomohesh – mjafton të regjistrohesh”. Kjo situatë nuk erdhi vetëm për faj të struganëve, por edhe të disa garniturave jashtë Strugës që intelektualizmi i struganëve u është dukur i bezdisshëm duke promovuar diletantët, matrapazët, arrivistët në politikbërje, arsim dhe kulturë dhe, mbi të gjitha – duke shkatërruar me vetëdije cilësinë në arsim në funksion të pasurimit të shpejtë (armën më të fortë të struganëve) duke punësuar dhe graduar persona që nuk kanë asnjë lidhje arsimin dhe me profesionin për të cilin janë certifikuar.