Filipçe: Masat anti-Kovid po japin rezultatet e duhura, numri i të infektuarve po shënon rënie

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe pas takimit me drejtorët e Klinikave ka shkruar në profilin e tij zyrtarë në Facebook, se masat anti-Kovid po japin rezultatet e duhura. Kjo sipas Filipçes dëshmohet me uljen e numrit të të prekurve nga Kovid-19. Megjithatë ai apelon për kujdes dhe respektim të masave sepse ky virus është i paparashikueshëm.

“Në koordinimin e rregullt me drejtorët e klinikave biseduam për tretmanin e të sëmurëve, gjendjen momentale me kapacitetet e Kovid-Qendrave dhe rotacionet e personelit. Numri i personave të hospitalizuar po ulet, ndërkohë që numri i personave që lëshohen në shtëpi është në rritje. Po ulet edhe numri i pacientëve pozitiv, që nënkupton se masat po japin rezultat. Megjithatë pavarësisht se numrat bien, gjatë kësaj periudhe duhet të jemi shumë të kujdesshëm, për shkak të paparashikueshmërisë së virusit”, ka shkruar në Facebook, Venko Filipçe, ministër i shëndetësisë.