Pakoja VI, 17.8 milion euro për 10 mijë kompani

Shtatë masa me vlerë prej 17.8 milion euro janë pjesë e pakos së gjashtë të masave ekonomike që u miratuan në seancën e Qeverisë. Gastronomët, sektori i turizmit dhe mediat do të marrin ndihmë të pakthyeshme për menaxhimin e pasojave të pandemisë. Planifikohet që sektori i gastronomisë të marrë ndihmë prej 30 për qind si mesatare e nxjerrë nga të ardhurat që kishin në vitin 2019 dhe 2020. Kështu, nëse mesatarisht për katër javë një kafene ose restorant ka realizuar të ardhura prej 100 mijë denarë, për shkak të mos punimit të tre javëve për shkak të masave restriktive ata do humbin 75 mijë denarë. Për shumën e humbur të të ardhurave shteti do tu japë ndihmë të pakthyeshme prej 30%, ose për 75 mijë denarët që është dashur t’i fitojnë, shteti do tu japë 22.500 denarë.

100,000 denarë të ardhura mujore

75,000 denarë për humbje për shkak të mos punimit prej tre javësh

22 500 denarë ndihmë të pakthyeshme nga shteti

Gastronomët gjithashtu do të marrin ndihmë në vlerë prej 15.200 denarë për secilin punonjës. Pronarët e restoranteve për dasma dhe kënde lojërash që janë të mbyllura për një periudhë të gjatë do të marrin 30 për qind ndihmë të pakthyeshme për të gjithë muajin si një mesatare e përllogaritur nga të ardhurat e fituara në vitin 2019.

“Kjo masë do të mbështesë rreth gjashtë mijë objekte gastronomike ku punësojnë rreth 17 mijë njerëz. Vlera e përllogaritur e masës është 9.9 milion euro. Me parim thuajse të njëjtë me 2.5 milion euro do të mbështeten restorantet e kategorizuara për dasma, këndet e lojërave, klubet e natës, vendpushimet private për fëmijë, qendrat e fitnesit, fotografët dhe studiot e fotografimit- deklaroi Fatmir Bytyqi – Zëvendëskryeministër çështjet ekonomike.

Përveç kësaj, agjencitë turistike do të marrin ndihmë, të cilave do t’u jepen grante nga dy deri në pesë mijë euro, si dhe 50 mijë PCR teste falas për turistët e huaj. Përmes Bankës Zhvillimore, do të ketë linjë të re të kredive pa interes të destinuara për mediat. Fondet për realizimin e kësaj pakoje masash do të sigurohen nga buxheti i shtetit.