Për tetë muaj deputetët kanë marrë mbi 1 milion euro, ndërsa kanë përfunduar vetëm 19 seanca

Që nga gushti i vitit të kaluar, kur Kuvendi u krijua pas zgjedhjeve parlamentare më 15 korrik, deputetët kanë filluar 39 seanca, por vetëm 19 prej tyre kanë përfunduar, transmeton Alsat. Dhe nga ato 19 seanca të përfunduara, vetëm 8 janë me ligje të propozuara në rendin e ditës. 20 seanca mbeten të papërfunduara, përfshirë seancën e 36-të, në të cilën në rend dite janë tre propozim-ligje nga pako e pestë e masave ekonomike, masa këto të parapara për zbutjen e pasojave të pandemisë Covid-19.

Në ato 19 seanca të përfunduara bëjnë pjesë: Seanca e parë- seanca konstituive, në të cilën u verifikuan vetëm mandatet e deputetëve dhe u zgjodh Kryetari i Kuvendit, pastaj seanca e dytë, në të cilën u vendos vetëm numri i nënkryetarëve të Kuvendit. Në seancën e 10-të, u zgjodh Qeveria, në seancën e 11-të, u zgjodhën kryetarët dhe anëtarët e komisioneve parlamentare ndërsa në seancën e 13-të u zgjodhën zëvendësministrat. Në seancën e 14 u mbajt fjalimi i Presidentit slloven Borut Pahor, ndërsa seanca e 23-të u mbajt për fjalimin e rregullt vjetor të Presidentit Stevo Pendarovski. Në seancën e 31-të u zgjodhën anëtarët e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve. Deri më tani, ka pasur tre seanca për pyetjet deputetësh.

Pavarësisht nëse kanë punuar apo jo, deputetët marrin mesatarisht 1,100 euro çdo muaj, ose një total prej një milion eurosh në 8 muaj për pagat e Kuvendit. Që nga janari, për shpenzimet e 75 nga 120 deputetë janë harxhuar gjithsej 122 mijë euro.

Deputetët për herë të fundit u mblodhën pardje, kur nuk arritën të përfundonin seancën e 32-të, që kishte filluar tre muaj më parë, ndërsa nuk arriti të përfundoje për shkak të mungesës së kuorumit. Seanca e 36-të për pakon e pestë të masave ekonomike nuk është caktuar ende. Për momentin është caktuar vetëm seanca e 39-të, që pritet të mbahet të mërkurën.