Numri i viktimave nga koronavirusi në Francë kaloi të enjten 100,000.
Një ditë më herët kjo shifër qëndronte në 99,805.
Autoritetet shëndetësore thanë se kanë regjistruar edhe 300 viktima në 24 orët e fundit.
Franca është vendi i tretë në Evropë, pas Mbretërisë së Bashkuar dhe Italisë, ku numri i viktimave ka kaluar 100,000.
“Nuk do të harrojmë asnjë fytyrë të vetme, asnjë emër të vetëm”, shkroi në Twitter presidenti i Francës, Emmanuel Macron, duke dërguar ngushëllimet e tij për familjet dhe miqtë e viktimave.
Në Francë, gati 30,000 njerëz kanë humbur jetën në valën e parë të pandemisë, në periudhën mesi i marsit – mesi i majit, 2020.
Por, numri më i madh i viktimave është regjistruar qysh në tetor kur ky vend është përfshirë nga vala e dytë.
Autoritetet thonë se Franca aktualisht ndodhet në valën e tretë, me më shumë se 5,900 pacientë të shtrirë në reparte të kujdesit intensiv.
Franca, deri më tash, ka administruar mbi 15.7 milionë vaksina kundër koronavirusit.
Koronavirusi, në të gjithë botën, ka prekur mbi 138 milionë njerëz.
Prej tyre, mbi 2.9 milionë kanë vdekur dhe mbi 78 milionë janë shëruar, tregojnë të dhënat e Universitetit Johns Hopkins.