Në Norvegji rekomandojnë që “AstraZeneca” të largohet nga programi i vaksinimit

Norvegjia duhet të ndërpresë përdorimin e vaksinës AstraZeneca, rekomandoi të enjten Instituti i Shëndetit Publik atje. Sugjerimi vjen vetëm një ditë pasi Danimarka u bë vendi i parë në Europë që ndaloi përdorimin e kësaj vaksine, të zhvilluar në bashkëpunim me Universitetin e Oksfordit.

Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe Agjencia Europiane e Barnave kanë thënë se përfitimet nga kjo vaksinë tejkalojnë rreziqet. Por jo të gjithë e mendojnë kështu.

“Krahasuar me marsin kur vendosëm pezullimin e përkohshëm, sot dimë shumë më tepër për lidhjet mes vaksinës AstraZeneca dhe incidentet e rralla, por të rënda të trombozës, mpiksjes së gjakut dhe hemorragjisë”, tha Geir Bukholm, drejtori i kontrollit të infeksioneve të Instutit të Shëndetit Publik të Norvegjisë. “Bazuar në këto njohuri, rekomandojmë që vaksina AstraZeneca të largohet nga programi i vaksinimit në Norvegji”.

Pas vendimit të Danimarkës të mërkurën, një zëdhënës i AstraZeneca tha për “Bloomberg”: “E pranojmë dhe e respektojmë këtë vendim”.