Restorantet dhe baret, që mund të shërbejnë në ambiente të jashtme, do të munden të rihapen të hënën e javës së ardhshme në Britani të Madhe, ashtu sikurse dyqanet jo të domosdoshme, palestrat dhe parukeritë, ka njoftuar kryeministri britanik Boris Johnson.
Megjithatë ai ka paralajmëruar kundër “vetëkënaqësisë”.
Në një konferencë për media, ai ka thënë se zyrtarët britanikë janë duke analizuar rolin potencial të certifikatave për koronavirus.
Në dokumentet qeveritare është thënë se certifikata për status të koronavirusit nuk do të kërkohet asnjëherë në transportin publik dhe dyqanet e domosdoshme, mirëpo mund të luajë rol në kthimin e njerëzve në teatro, klube të natës dhe organizime të mëdha sikurse festivalet dhe ngjarjet sportive.
Kryeministri britanik ka thënë se qeveria “shpreson” që udhëtimet ndërkombëtare do të mund të rikthehen në fazën e ardhshme të lehtësimit të masave më 17 maj, mirëpo ka tërhequr vërejtjen se rritja e shkallës së infektimit në vende tjera të botës mund të ndikojë në këtë proces.
Zyrtarët britanikë planifikojnë të përdorin një sistem që do të kategorizojë shtetet në bazë të rrezikut, mirëpo pjesëtarë të qeverisë kanë thënë se ende është shumë herët për të vendosur cilat shtete do të futen në listën e gjelbër, në të cilën do të kërkohet test për koronavirus para dhe pas përfundimit të udhëtimit nga shtetet përkatëse.