Me Astra Zeneca nuk do të vaksinohen personat e moshës nën 60 vjeç. Për momentin po bëhen analiza nëse ajo duhet të pranohet nga kjo kategori e qytetarëve. Kjo për shkak se në disa vende të Evropës janë paraqitur disa raste me mpiksje të gjakut tek qytetarët e moshave nën 60 vjeç.
Ne vendosëm të jemi të vëmendshëm dhe të shkojmë ngadalë por sigurtë. Do të presim vërtetim definitiv se vaksina është e sigurtë. Sot nga Gjermania ka edhe njoftime tjera se do të vazhdohet me vaksinimin pas konsultimeve me mjekët, por duam të jemi të kujdesshëm- deklaroi Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë.
Në Maqedoni është regjistruar një rast i cili ka pësuar efekte të pa dëshiruara gjashtë ditë pas vaksinimit me Astra&Zeneca. Bëhet fjalë për një vajzë 28 vjeçare e cila ishte vaksinuar në Serbi. Për momentin ajo ndodhet në kurim spitalor.
“Potencoj se nuk ka asnjë efekt anësor tek personat më të moshuar. Të gjitha rastet janë tek personat nën 60 vjeç. Deri më tash tek moshat mbi 77 vjeç nuk është raportuar se kanë mpiksje të gjakut- pohoi Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë.
Filipçe tha se 4 mijë dozat e planifikuara për policët, ushtrinë, gazetarët, të punësuarit në Prokurori dhe gjykata, shoferët e autobusëve publik, edukatorët e çerdheve, personat e punësuar nëpër pikat pagesore do të jepen vetëm pasi autoritetet gjermane dhe Kanadeze si dhe Agjencia Evropiane e ilaçeve të dalin me rekomandime dhe rezultate konkrete.