Të gjithë qytetarët që e kanë pranuar tanimë dozën e parë të vaksinës “AstraZeneka” dhe ata që ditët në vijim do të vaksinohen, duhet të dinë se pas pranimit të dozës së parë të vaksinës, nevojitet që deri në tre javë të krijohet imunitet, ka informuar Ministria e Shëndetësisë (MSH).
“Kjo nënkupton se të gjithë të cilët kanë pranuar këtyre ditëve vaksinë duhet të jenë të kujdesshëm javët në vijim dhe të vazhdojnë të respektojnë masat për mbrojtje personale, si mbajtja e maskës, distancë fizike dhe mbajtjen e higjienës personale”, theksohet në kumtesë.
Ministria thekson se efekte më të shpeshta ta padëshirueshme pas pranimit të vaksinës janë dhimbje në vendin e aplikimit, skuqje dhe kruajtje, rritje të temperaturës trupore, ethe, dhimbje koke, dhimbje të muskujve.
“Këto efekte të padëshirueshme paraqiten te 1/10 individë. Më rrallë paraqitet reagim alergjik, ndërsa efektet më të shpeshta të padëshirueshme janë të lehta dhe me kohëzgjatje të shkurtë dhe largohen një deri në dy ditë pas vaksinimit”, theksohet në kumtesë.
Ministria thekson se më shumë informacione për vaksinat mund të gjenden në ueb faqen zyrtare të saj:https://kovid19vakcinacija.mk/za-vakcinite/