Kombëtarja Shpresa e drejtuar nga Alban Bushi, mposhti Tiranën me rezultatin 3-0, në një ndeshje miqësore të luajtur ditën e sotme në stadiumin “Selman Stërmasi”.
Dy lojtarët e Tiranës, Jurgen Çelhaka dhe Marsel Ismajlgeci ishin kundërshtarë me bardheblutë në këtë ndeshje, teksa u aktivizuan titullarë me kuqezinjtë.
Pjesa e parë u mbyll me rezultatin 1-0 në favor të Shpresave, ku goli i avantazhit u shënua në minutën e 18’ nga talenti i Dinamos së Zagrebit, Bernard Karrica.
Dhe pjesa e dyte ishte pa shumë histori, ku të rinjtë e Alban Bushit arritën të gjejnë dhe dy herë të tjera rrjetën e golit, ku mbrojtësi Amet Korça dyfishoi rezultatin në minutën e 59’, ndërsa golin e tretë të takimit e shënoi përsëri talenti Karrica në minutën e 71’, duke realizuar një dopietë në këtë ndeshje. Shpresat e Alban Bushit me këtë fitore kaluan një test pozitiv, ku dhe prurjet e reja sollën sinjale shpresëdhënëse për të ardhmen.
REZULTATI
Shqipëria U21- Tirana 3-0
Shënues: Karrica 18′, 71′ Korça 59′