“Veritas” akuzon për plagjiaturë 7 profesorë të Fakultetit të Mjekësisë në UT, flet Dekani i Fakultetit

Shtatë profesorë që aktualisht ligjërojnë disa nga lëndët bartëse në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Tetovës, e që po ashtu janë në lidhje farefisnore mes tyre, akuzohen nga revista “Veritas” për plagjiaturë të punimeve të tyre shkencore. Sipas kësaj reviste, punimet e tyre i kanë kopjuar nga disa revista shkencore të mjekësisë në shtete të ndryshme të Botës.

Sipas të njëjtës revistë bëhet fjalë për ish rektorin e UT-së Nexhbedin Beadinin, bashkëshorten e tij Sheqibe Beadinin, Albulena Beadinin, Emira Bexhetin, Mirlind Bexhetin, Destan Halidin dhe Ekrem Ismanin.

Përkundër tentimit tonë për të kontaktuar me profesorët e apostrofuar, të njëjtët refuzuan të prononcohen, me arsyetimin se UT-ja ka organet kompetente të cilat do të merren me verifikimin e punimeve.

Dekani i Fakultetit të Mjekësisë Nevzat Elezi thotë se këto punime janë në procedurë e sipër dhe nuk janë të përfunduara, por se të njëjtat do të hulumtohen dhe në rast të konfirmimit të plagjiatit me mbi 30 për qind, të njëjtët do të refuzohen.

Ndër to tre janë kandidatët e mijë që ende kanë edhe një semestër për të arritur këtu andaj tema e diplomës është në përpunim e sipër dhe para se të dorëzohet në këshillin mësimor shkencor të bëhet punimi shkencorë duhet mentori ta fus në kontroll për plagjiaturë dhe me përqindjen që del nga sistemi duhet këshilli mësimor shkencor të verifikoj është apo nuk është plagjiaturë. Dhe ju premtoj që nëse del diçka që ka ngjashmëri apo plagjiaturë, të njëjtëve do t`iu kthehet punimi shkencor” tha Nevzat Elezi, dekan i Fakultetit të Mjekësisë në UT.

Publikimi i emrave ka nxitur reagime të shumta duke kërkuar llogari nga UT-ja për avancimet që janë bërë me punime të këtilla. Kryetari i UNSHM-së Blendi Hodai tha se kjo që ndodh në UT është krim akademik.

“Kishte raste që kishin gabuar duke kopjuar, kishte rast profesori që kishte bë gjithë punimin shkencor me google translate dhe kishte gabime të mëdha dhe më qesharake ishte se një profesoreshë që iu ligjëron studentëve në mjekësi e ka marrë punimin shkencor dhe vetëm e ka ndërruar Arabinë Saudite me Maqedonia e Veriut dhe qytetin Riadin me Tetovë, dhe e ka quajtur punimin se është i saj”, pohoi Blendi Hodai, kryetar i UNSHM.

Pos pretendimeve për plagjiaturë, revista “Veritas” në këtë hulumtim, akuzon edhe për nepotizëm në Fakultetin e Mjekësisë në të cilin ligjërojnë më shumë se tre anëtarë të një familje.