Në mesin e 100 firmave më të mëdha të armatimit gjenden edhe 7 ndërmarrje turke. Vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe dhe Kina janë të përfaqësuar me më shumë firma në listën e revistës amerikane për çështje armatimi “Defense News”
Kur në vitin 2002 partia e Rexhep Taip Erdoanit AKP fitoi zgjedhjet në Turqi, asnjë ndërmarrje turke nuk ishte në listën e 100 firmave më të mëdha për prodhimin e armëve. Katër vite më vonë, më 2006, në listën e revistës amerikane për çështje të armatimit “Defense News” hyri firma turke Aselsan. Më 2012 pasoi firma e dytë turke, Tusas. Që nga 2017 për çdo vit në listën e 100 firmave më të mëdha të armatimit ka hyrë nga një firmë turke. Tani në listën gjenden shtatë firma turke. Vetëm Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe dhe Kina janë të përfaqësuar me më shumë firma në këtë listë, shkruan në një analizë gazeta gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung”.
Dronët luftarakë të prodhimit turk kanë vendosur për epilogët e luftërave në Kaukaz dhe në Libi. Në Mesdheun lindor patrullojnë anije moderne korvetë, fregata e parë e klasës së re Istif para pak javësh ka dalë nga linjat e prodhimit. Me arsenalin e raketave moderne ushtria turke lufton kundër Partisë së Punës të Kurdistanit në Irakun verior dhe në juglindje të Turqisë. Sipas “Frankfurter Allgemeine Zeitung” asnjë qeveri e mëparshme turke nuk ia ka plotësuar dëshirat e forcave ushtarake siç po bën Erdoani. Presidenti turk thotë se vëllimi i projekteve turke të armatimit gjatë qeverisjes së AKP-së është rritur nga 5,5 miliardë në 60 miliardë dollarë – kjo domethënë se vëllimi është dhjetëfishuar. Gjatë kësaj kohe projektet turke të armatimit janë shtuar nga 62 në 700, numri i ndërmarrjeve të këtij sektori është rritur nga 56 në 5000.
Ndërkohë industria e armatimit është një degë e rëndësishme e eksportit. Blerës të mëdhenj të armëve turke janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Azerbajxhani, Indonezia dhe Pakistani. Armë turke blejnë edhe Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Prodhuesit më të mëdhenj të armëve janë ndërmarrje shtetërore. Firmat si Aselsan, Tusas, Roketsan dhe Havelsan i takojnë Fondacionit të Ushtrisë së Turqisë (TSKGV) të themeluar më 1987. Një kohë të gjatë Turqia nuk kishte as mundësi, as interes të prodhojë armë. Kjo situate ndryshoi pas invadimit turk në Qipro më 1974 dhe vendosjes së sanksioneve amerikane kundër Turqisë. Në universitete u hapën degët e inxhinierisë, me qëllim që të përgatitet personeli për industrinë e armatimit. Tre vjet pasi junta ushtarake dorëzoi pushtetin, kryeministri Turgut Özal më 1983 solli në Turqi montimin e avionëve luftarakë amerikanë F16, më 1985 u themeluar ministria për armatim, më 1987 holdingu për armatim TSKGV. Në krye të ndërmarrjeve u emëruan gjeneralë të pensionuar dhe u angazhuan inxhinierë të rinj. Nën qeverisjen e AKP-së u angazhuan në Turqi edhe ekspertë turq që kishin bërë karrierë në botën e jashtme.