Zaev: Mbi 50.000 të regjistruar nga diaspora, secili i regjistruar është pasuri për shtetin

Kryeministri Zoran Zaevi sot u bëri thirrje mërgimtarëve të regjistrohen përmes aplikacionit elektronik që të mund të merret pasqyrë e saktë për numrin e tyre dhe të mund të krijohen strategji dhe politika për uljen e valës së migrimit dhe për sigurimin e lidhjeve të qëndrueshme të shtetit me diasporën.

“U bëj thirrje mërgimtarëve, të gjithë diasporës, të ndajnë 10 minuta prej kohës së tyre dhe përmes aplikacionit të thjeshtë të regjistrohen dhe me këtë të kontribuojnë për një të ardhme më të mirë dhe jetë më cilësore në vendlindje nga e kanë origjinën dhe ku shpresojmë se sërish do të kthehen. U bëj thirrje edhe të gjithë banorëve të cilët jetojnë në shtet t’ua përcjellin këto informacione të afërmve të tyre dhe familjeve në diasporë, sepse secili është i rëndësishëm, secili i regjistruar është pasuri për shtetin tonë, ka shkruar Zaevi në Fejsbuk.

Në statusin e këtij rrjeti social, Zaevi thekson se deri më tani janë regjistruar më shumë se 50.000 perspna dhe se shtetasit e Maqedonisë së Veriut të cilët më shumë se një vjet jetojnë jashtë kanë mundësi në mënyrë të thjeshtë, të vetëregjistrohen dhe në këtë mënyrë të regjistrohen në bazën e popullatës jorezidente përmes linkut https://census.stat.gov.mk/.

“Qëllimi i vetëregjistrimit i mërgimtarëve tanë jashtë vendit në një numër sa më të madh është që shteti të ketë pasqyrë të qartë për numrin e personave të cilët janë shpërngulur, moshën e tyre, arsimin dhe strukturën ekonomike, prej ku janë shpërngulur dhe në cilën periudhë. Këto të dhëna janë me rendësi të jashtëzakonshme për analizë dhe hartim të strategjive, për politika për uljen e valës së migrimit dhe për sigurimin e lidhjeve të forta dhe të qëndrueshme midis qytetarëve të cilët jetojnë në Maqedoninë e Veriut dhe në diasporë”, thotë Zaevi.

Regjistrimi, siç thekson, është me rëndësi që në mënyrë të drejtë të dimensionohen shërbimet që përfaqësitë diplomatike-konsullore t’ua ofrojnë mërgimtarëve, ndërsa nga aspekti ekonomik të dhënat do të paraqesin bazë për analizë të potencialit të shtetasve të Maqedonisë së Veriut jashtë vendit.