BE do të marrë vaksina shtesë për vatrat e koronavirusit

Bashkimi Evropian do të marrë katër milionë doza shtesë të vaksinës Pfizer/BioNTech kundër koronavirusit, gjatë dy javëve të ardhshme, tha të mërkurën presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Dërgesa do të shkojë në rajonet e prekura kufitare brenda bllokut, “për të ndihmuar lëvizjen e lirë të mallrave dhe njerëzve”, tha Von der Leyen.

Sipas saj, dozat do të dorëzohen “përpara fundit të marsit”.

Njoftimi vjen në kohën kur Komisioni Evropian po përpiqet t’i bindë së paku gjashtë shtete anëtare – përfshirë Gjermaninë e Austrinë – që t’i heqin kufizimet në kufij, të vendosura për shkak të numrit të lartë të rasteve me koronavirus në vendet fqinje.

“Duke i përdorur atje ku është më e nevojshme, veçanërisht në rajonet kufitare, këto doza të vaksinës do të ndihmojnë edhe në sigurimin ose rivendosjen e lëvizjes së lirë të mallrave dhe njerëzve”, tha Von der Leyen.

Deklarata e saj po ashtu thekson se vaksina Pfizer/BioNTech po tregon se është “shumë e efektshme” ndaj varianteve të reja të koronavirusit.

Disa vatra në Evropë, përfshirë Tirollin në Austri, Nicën në Francë, Bolzanon në Itali dhe pjesë të Bavarisë dhe Saksonisë në Gjermani, kanë përjetuar rritje të infeksioneve dhe të shtrimeve në spital javëve të fundit, tha Komisioni Evropian.

BE-ja ka gjashtë kontrata për më shumë se 2 miliardë doza vaksinash, për të imunizuar 450 milionë njerëzit e saj.

BE-ja, megjithatë, është kritikuar për ritëm të ngadalshëm të vaksinimit, por zyrtarët janë arsyetuar me problemet në furnizimin me vaksina.

Franca ka numrin më të madh të të infektuarve në Bashkimin Evropian: afro katër milionë.
Italia prin në BE me numër të viktimave: mbi 100,000.

Në të gjithë botën, koronavirusi ka prekur mbi 117 milionë njerëz.

Prej tyre, mbi 2.6 milionë kanë vdekur dhe mbi 66 milionë janë shëruar.