Strategjia e vaksinimit të 27 vendeve të Bashkimit Evropian po copëzohet ndërsa vendet anëtare u drejtohen shteteve jashtë bllokut për të dhënë një shtysë fushatave të veta të vaksinimit, të cilat nuk po ecin aspak mirë për shkak të problemeve të furnizimit, grindjeve për kontratat dhe ecurisë së ngadaltë.
Kancelari austriak Sebastian Kurz njoftoi të hënën se ai synon të punojë me Izraelin dhe Danimarkën për prodhimin e vaksinave në të ardhmen dhe bashkëpunimin rreth zhvillimit të varianteve të mëtejshme për të luftuar mutacionet e reja të koronavirusit. Ai do të vizitojë Izraelin me udhëheqësin danez Mette Frederiksen të enjten.
Udhëheqësi austriak ka qenë tej mase kritik ndaj strategjisë së vaksinimit të BE dhe rregullatorit të bllokut, Agjencia Evropiane e Barnave (EMA). BE-ja autorizoi vaksinën Pfizer / BioNTech në fund të Dhjetorit 2020, disa javë pasi i ishte dhënë miratimi në Britani dhe SHBA.
Brukseli ka zgjedhur një qasje të centralizuar për prokurimin dhe shpërndarjen e vaksinave, por plani i tij është penguar nga problemet e furnizimit dhe shpërndarjes. Vetëm 5.5% e popullsisë së BE prej 447 milion banorësh ka marrë dozën e parë të vaksinës, sipas të dhënave nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).
EMA ka autorizuar tre vaksina – Pfizer / BioNTech, Oxford / AstraZeneca dhe Moderna – por vendet e BE mund të japin individualisht autorizimin emergjent për vaksina të tjera, siç bëri Britania e Madhe në dhjetor, kur ishte ende në periudhën e tranzicionit pas Brexit.
“Agjencia Evropiane e Barnave është shumë e ngadaltë për sa i përket autorizimit të kompanive farmaceutike,” tha Kurz, sipas ORF. “Kjo është arsyeja pse ne duhet të përgatitemi për mutacione të mëtejshme dhe nuk duhet të jemi më të varur nga BE, kur bëhet fjalë për prodhimin e vaksinave të gjeneratës së dytë.”
Frederiksen, kryeministrja daneze, bëri komente të ngjashme të hënën. “Përpjekja evropiane për vaksinimin nuk mund të qëndrojë më vetëm”, tha ajo, duke shtuar se kjo ishte arsyeja pse Danimarka dhe Austria po bashkëpunonin për të marrë më shumë doza.
Kombet e tjera të BE-së u janë drejtuar Rusisë dhe Kinës për të mbuluar boshllëqet në furnizimin e vaksinave përmes prokurimeve të njëanshme. Të hënën, Sllovakia dha autorizim emergjent për vaksinën Sputnik V të Moskës, pas një vonese në furnizimin e vaksinave Pfizer dhe AstraZeneca.
EMA nuk i ka dhënë ende dritën jeshile vaksinës Sputnik V. “Miratimi i [Sllovakisë] bazohet në rezultatet e provave klinike të Sputnik V në Rusi dhe një vlerësim gjithëpërfshirës të vaksinës nga ekspertë në Sllovaki,” tha të hënën Fondi Rus i Investimeve Direkte, i cili mbështet prodhimin e Sputnik V.
“Ne kemi marrë kërkesa të shumta nga shtetet e BE për t’ua siguruar atyre direkt vaksinën Sputnik V, bazuar në procedurat e agjencive të tyre kombëtare,” tha Kirill Dmitriev, Drejtor i Fondit në një deklaratë. “Ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë si dhe të punojmë me EMA, bazuar në procedurën e rishikimit që kemi filluar në janar.”
Sllovakia është vendi i dytë i BE që jep në mënyrë të pavarur autorizimin për Sputnik V pas Hungarisë, e cila filloi të aplikojë vaksinën në shkurt. Hungaria është gjithashtu vendi i parë i BE që ka marrë vaksinën Sinopharm të Kinës, e cila nuk është miratuar nga EMA.
“Vaksinimi nuk është një çështje politike, është një çështje efektiviteti dhe besueshmërie,” tha të hënën sekretari i shtetit i Hungarisë për komunikimin dhe marrëdhëniet ndërkombëtare, Zoltan Kovacs. “Ne shohim se si kinezet, ashtu edhe vaksinat ruse po përdoren anembanë globit në shumë vende.”
Hungaria ka porositur gjithashtu doza të vaksinave Pfizer, Moderna dhe AstraZeneca përmes BE, por Kovacs tha se strategjia e centralizuar e bllokut nuk kishte arritur të përmbushte pritshmëritë. “Epo, është e qartë dhe e dukshme deri tani që ajo strategji, krahasuar me atë tën Mbretërisë së Bashkuar, Izraelit, madje edhe Shteteve të Bashkuara, ka dështuar,” tha ai.
“Burokracia e Brukselit nuk ishte në gjendje të dilte me zgjidhje të shpejta dhe të menjëhershme në lidhje me kontratat, ne jemi së paku dy muaj prapa.”
Por Hungaria nuk është aspak i vetmi vend i zhgënjyer.
Presidenti i Republikës Çeke Milosh Zeman tregoi për Filialin e CNN Prima News të Dielën se vendi i tij mund të marrë Sputnik V, nëse autorizohet nga rregullatori i brendshëm. “I shkrova Presidentit Putin duke kërkuar dërgimin e Sputnik-V. Nëse jam informuar saktë, kjo kërkesë do të pranohet, por natyrisht që do të na duhet çertifikimi [rregullatori mjekësor]”, tha ai.
“Nëse njerëz të ndryshëm na paralajmërojnë që të mos kemi një vaksinë ruse ose kineze, atëherë është mirë t’u themi atyre se vaksina nuk ka ideologji,” shtoi ai.
Çarja që ka pësuar strategjia e centralizuar e BE-së vjen mes një evolucioni brenda bllokut për vaksinën AstraZeneca. Franca më parë tha që ajo duhet të administrohet vetëm tek personat nën moshën 65 vjeç, duke përmendur mungesën e të dhënave klinike mbi efikasitetin e saj për njerëzit e moshuar.
Por Parisi tani ka zgjatur kufirin e sipërm të moshës në 75. Sipas Reuters, tani ekziston frika se komentet fillestare kritike të qeverisë kanë çuar në marrjen më të ulët të të vaksinave në vend.
Të dhënat nga Shëndeti Publik Angli (PHE) të nxjerra të hënën sugjerojnë se një dozë e vetme e vaksinës AstraZeneca është shumë efektive kundër infeksionit të rëndë dhe shtrimit në spital, midis popullatave të moshuara. Vaksina Pfizer gjithashtu u gjet të ketë një efektivitet të ngjashëm, sipas studimit, i cili ende nuk është rishikuar nga kolegët.
Në një konferencë shtypi të Downing Street të hënën, zëvendës shefi mjekësor i Anglisë Jonathan Van-Tam tha se të dhënat “justifikuan qartësisht” vendimin e Mbretërisë së Bashkuar për të vaksinuar të gjitha grupmoshat, që nga fillimi i procesit të shpërndarjes. “Unë nuk jam këtu për të kritikuar vendet e tjera mendoj se me kohë, të dhënat që dalin nga programi ynë do të flasin vetë dhe vendet e tjera padyshim do të jenë shumë të interesuara për të,” shtoi ai.
Krerët e BE tani janë përqendruar në kthimin e fushatës së vaksinimit të bllokut në rrugën e duhur. “Prioriteti ynë kryesor tani është përshpejtimi i prodhimit dhe shpërndarjes së vaksinave në të gjithë Bashkimin Evropian,” tha Presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel javën e kaluar.
“Eshtë arsyeja pse ne mbështesim përpjekjet e Komisionit për të punuar me industrinë për të identifikuar pengesat në garantimin e zinxhirëve të furnizimit dhe rritjen e prodhimit. Dhe ne duam më shumë parashikueshmëri dhe transparencë për të siguruar që kompanitë farmaceutike të përmbushin zotimet,” shtoi ai.
Blloku tani përballet me një garë për të rregulluar përhapjen e vaksinave duke shpresuar në besimin e vendeve anëtare të nervozuara, që kërkojnë gjetkë për zgjidhje.