Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë (LSM) informon se angazhohet që paga minimale të rritet në 60 për qind nga paga mesatare sepse kjo është tendencë evropiane dhe rast në të gjitha shtetet evropiane.
LSM në kumtesën dërguar mediave thekson se edhe sot, si dhe kur kanë filluar ta llogarisin shportën minimale sindikale, të dhënat janë të njëjta – paga mesatare në vend mbulon rreth 70 për qind të shportës minimale sindikale.
“Nëse merret parasysh se shporta minimale sindikale për në janar të vitit 2021 arrin 33,650 nga të cilat vetëm për ushqim dhe pije duhet të ndahen të paktën 14.000 denarë, del se një punëtor i cili punon për pagë minimale fiton vetëm për bukë dhe për ujë, ndërsa nëse dy punëtorë në një familje punojnë për pagë minimale, u mungojnë 3.782 denarë deri në lartësinë e shportës që t’i mundësojnë vetëm gjërat e domosdoshme për mbijetesë, e jo edhe për jetë normale”, thekson LSM.
Lidhja thekson se zgjidhjen sistemore tashmë e kanë siguruar me marrëveshjet kolektive me përcaktimin e vlerës së punës përmes koeficientëve, por për fat të keq, siç shkruan në kumtesë, në kompanitë të cilat nuk janë organizuar në mënyrë sindikale në periudhën e kaluar kjo nuk është zbatuar dhe një numër i madh i punëdhënësve të cilat paguajnë pagë në lartësi të pagës minimale, nuk paguajnë shtesa dhe kompensime të pagës, por i llogarisin në lartësi të pagës minimale të punëtorëve, që nuk është e ligjshme.
“Duhet të gjithë së bashku të punojmë në rimëkëmbjen e ekonomisë, ndërsa në periudhën e ardhshme nevojitet realizim më i madh i investimeve kapitale, si dhe përpjekje serioze për hapjen e vendeve të reja pune dhe stimulim punëdhënësve të cilët do ta bëjnë këtë, me një qëllim që mos të lejojmë që punëtorët tanë për shkak të ndjenjës se nuk u vlerësohet puna dhe për shkak të mosrespektimit të të drejtave të tyre të punës, në vend që ta ndërtojnë dhe zhvillojnë ekonominë tonë në periudhën pas kovidit, të kontribuojnë për zhvillim të shteteve të Evropës Perëndimore”, thekson Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë.