Pse BE po përballet me kaq shumë vështirësi në fushatën e saj të vaksinimit?

Vaksinat janë një mrekulli mjekësore. Pas ujit të pastër,vlerësohet se ato kanë shpëtuar më shumë jetë se sa çdo risi tjetër njerëzore. Zhvillimi jashtëzakonisht i shpejtë i vaksinave kundër Covid-19, duhet të kremtohet si një triumf i zgjuarsisë së racës njerëzore.

E megjithatë, shumë evropianë po i shmangen atyre. Këta skeptikë të vaksinave po rrezikojnë fqinjët e tyre, duke dëmtuar rimëkëmbjen ekonomike dhe duke ekspozuar një lloj evropiani anti-shkencor. Shpërndarja e vaksinave në BE-së ishte shumë e ngadaltë muajin e kaluar kur vonesat në dërgesat e Pfizer/BioNTech dhe Oxford/AstraZeneca, nënkuptuan se blloku do të realizonte vetëm një pjesë të vaksinimeve të planifikuara.

Nëse kjo ishte një fatkeqësi, kriza e fundit e vaksinave duhet të shihet më shumë si një pakujdesi. Ndërsa dërgesat janë ende të ngadalta, marrja e dozave të disponueshme të AstraZeneca është sërish e ngadaltë në mënyrë të pajustifikuar. Shumë njerëz po shtyjnë vaksinimin, duke shpresuar të marrin dozat e Pfizer.

Në mënyrë të pabesueshme, skepticizmi është më i lartë tek punonjësit e kujdesit shëndetësor. Rezistenca ndaj vaksinës së AstraZeneca është veçanërisht e fortë në Gjermani, ku vetëm 187.000 nga 1.5 milion vaksina në dispozicion, ishin përdorur deri në fund të javës së kaluar.

Ndërsa agjencia kryesore e vaksinave në Gjermani, Instituti Paul Ehrlich, konfirmoi disa raporte mbi efektet anësore të rastit, si dridhjet apo ethet, kjo do të thotë se vaksina është shumë efektive, dhe reagimet ndaj saj janë shumë të shkurtra në kohë.

Një pjesë e hezitimit ka të bëjë me përplasjet e forta të muajit të kaluar midis Komisionit Evropian dhe AstraZeneca mbi vonimin e dozave të premtuara, që nxiti antipatinë ndaj kompanisë farmaceutike anglo-suedeze. Pavarësisht se kush pati të drejtë dhe kush gabim, me kritikat publike ndaj kompanisë, Komisioni Evropian e minoi besimin tek vaksina.

Kësaj iu shtua konfuzioni në lidhje me efikasitetin e vaksinës AstraZeneca. Shumë ente rregullatore kombëtare, e kufizuan përdorimin e saj tek moshat nën 65 vjeç, duke përmendur mungesën e të dhënave të testeve – edhe pse Agjencia Evropiane e Barnave e miratoi atë muajin e kaluar për të gjithë të rriturit.

Por gjithë ai kujdes ngjalli dyshime mbi sigurinë e vaksinës. Më pas rreziqet u zmadhuan nga mediat gjermane, dhe më vonë nga presidenti francez, Emmanuel Macron. Sidoqoftë, një pjesë e mirë e skepticizmit të vaksinave, buron nga shkaqe më të thella kulturore, sociale dhe politike.

Evropa ka një traditë të gjatë të lëvizjes kundër vaksinave, e cila shpesh ushqehet nga politika anti-establishment. Edhe pse Evropa dominon në industrinë globale të vaksinave, përfshirë ato kundër Covid-19, vaksinat e saj nuk besohen shumë nga qytetarët e saj.

Një studim i vitit 2018 i“Wellcome Global Monitor”, tregoi se vetëm 59 për qind e njerëzve në Evropën Perëndimore mendonin se vaksinat ishin të sigurta, krahasuar me 79 për qind në të gjithë botën. Kur bëhej fjalë për nivelet e mosbesimit, Franca ishte e para me rreth 33 për qind të të anketuarve, që thanë se vaksinat ishin të pasigurta.

Kjo është një shifër goxha e lartë, krahasuar me 22 për qind në Evropën Perëndimore dhe 17 për qind në Evropën Lindore. Dhe pasojat negative nga një qasje e tillë ishin tashmë të qarta para koronavirusit. Shkalla e vaksinimit të fëmijëve po binte në të gjithë BE-në, duke rrezikuar kthimin e sëmundjeve të parandalueshme.

BE e njohu këtë problem, duke ngritur Projektin e Përbashkët Evropian të Vaksinimit, për të hartuar një protokoll standard për t’iu përgjigjur një emergjence mjekësore nga një vend tjetër.

Para se të konfirmohej si presidente e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, premtoi që të “vendosë si prioritet komunikimin publik mbi vaksinimin, duke shpjeguar përfitimet dhe duke luftuar mitet, idetë e gabuara dhe skepticizmin mbi to”.

Por meqë politika e kujdesit shëndetësor mbikëqyret më shumë nga qeveritë kombëtare sesa nga BE, Brukseli është vetëm një nxitës i politikave kombëtare të vaksinimit. Një raport i vitit 2018 nga Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve, zbuloi se vetëm 10 nga 16 vendet kishin një sistem informacioni për imunizimin, për të regjistruar arsyet që jepnin njerëzit për refuzimin e vaksinimit.

Po pse pas më shumë se 2 shekujve pasi Edward Jenner zbuloi vaksinën kundër sëmundjes së lisë, ka kaq shumë evropianë skeptikë ndaj vaksinave? Një sondazh i Eurobarometrit 2019, hedh disi dritë mbi këtë çështje. Ai zbuloi se rreth 48 për qind e njerëzve në BE, besonin se vaksinat mund të shkaktonin shpesh efekte anësore serioze, 38 për qind mendonin se mund të shkaktonin dhe jo parandalonin sëmundjen,dhe 31 për qind ishin të bindur se ato mund ta dobësonin sistemin imunitar.

Që të gjitha këto besime janë të pasakta. Profesoresha Heidi Larson, që drejton Projektin e Besimit tek Vaksinave në Shkollën e Higjienës dhe Mjekësisë Tropikale në Londër, thotë se skepticizmi ndaj vaksinave është i lidhur me ankthet më të përgjithshme mbi botën dhe vendin tonë në të.

Në Evropë, ngritja e kësaj lëvizje ushqehet nga dezinformimi, dhe përforcohet nga mediat sociale. Natyra e jashtëzakonshme e pandemisë së koronavirusit, ka gjeneruar një tendencë të re të teorive të konspiracionit. Izolimi i detyruar dhe pasiguria kanë përhapur gjerësisht historitë e Facebook në lidhje me Bill Gates që fut mikroçipet në vaksinat.

Besimi tek shkenca, është i lidhur me besimin në institucione të tilla si qeveria. Zhvendosja drejt politikës ekstreme, ka sjellë në pushtet parti anti-establishment që bëjnë fushatë kundër vaksinave. Kështu ndodhi në Itali, ku dy partitë më të mëdha politike, Lega e ekstremit të djathtë dhe Lëvizja e Pesë Yjet e së majtës, ushqyen frikën ndaj vaksinave.

Franca mund të jetë vendi i pionierit të imunologjisë Louis Pasteur, por ajo ka një lëvizje të fortë kundër vaksinave, të lidhur me Marine Le Pen në të djathtë dhe Jean-Luc Mélenchon në të majtë.

Ministrat dhe zyrtarët në të gjithë BE-së, po u luten tani njerëzve qëta pranojnë vaksinën AstraZeneca nëse u ofrohet. Ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn, tha javën e kaluar se ishte një “privilegj”të vaksinohej me këtë vaksinë që ishte e “sigurt dhe efektive”. Ministri francez i Shëndetësisë, Olivier Véran, u vaksinua direkt në televizion.

Por edhe nëse fushata e vaksinimi te BE-së, rikthehet në rrugën e duhur, kriza aktuale ka ekspozuar disa sfida afatgjata. Për shumë kohë, udhëheqësit evropianë nuk kanë arritur të që përballen me ndjenjat kundër vaksinave, duke lejuar zgjerimin e ideve të tilla të rrezikshme. Kjo ka ushqyer teoritë konspirative në lidhje me kompanitë e mëdha farmaceutike dhe elitat globale, duke e minuar besimin tek mjekësia, shkenca dhe teknologjia moderne. Dhe kjo do të thotë se po snobohet një vaksinë shpëtuese, pavarësisht të gjitha provave mbi efikasitetin e saj.