Nuk ka detaje se në çfarë atmosfere po zhvillohet takimi online i Komisionit të historianëve të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë. Takimi dyditor pritet të zgjasë deri në orët, ndërsa ishte paralajmëruar se do të diskutohej figura e Goce Dellçevit dhe librat e historisë për klasën e shtatë. Ministria e Jashtme nuk jep detaje përse ende nuk po harmonizohet Plani i përbashkët i veprimit, përkatësisht nuk saktëson se çfarë mbetet për t’u definuar. Pas takimit të fundit mes ministrave të jashtëm të dy vendeve, kryediplomatja bullgare, Zaharieva nuk kishte dhënë asnjë detaj.
“Pa negociata asgjë nuk do të bëhet. Duhet të negociojmë në tavolinë kur jemi përballë njëri-tjetrit, jo përpara mediave. Kur të merremi vesh për datën e konferencës ndër-qeveritare, atëherë bashkë do të njoftojmë”, deklaroi Ekaterina Zaharieva, Ministre e Jashtme e Bullgarisë.
Por 10 ditë më parë ministri, Osmani kishte thënë se 99% e Planit aksionar ishte harmonizuar. Ndërsa deklarata e Osmanit i kishte dhënë optimizëm edhe Përfaqësuesit të posaçëm, Buçkovski.
“Ka propozim nga njëra palë për marrëveshje të re bashkëpunimi në kulturë. Mendimi i institucionit tjetër është se ekziston veçmë marrëveshje. A duhet të jetë dy apo tre vjeçar. Për këtë tip të detajeve teknike bisedohet, por nuk kemi dallime esenciale lidhur me qasjen dhe përmbajtjen. Prandaj jam optimist se ditët në vijim do ta finalizojmë”, tha Bujar Osmani, Ministër i Jashtëm.
“Atë që e tha Ministri Osmani se 99% e Planit aksionar është harmonizuar jep shpresë se mund këto javë ta kemi konferencën ndër-qeveritare”, tha Vllado Buçkovski, Përfaqësues special i Qeverisë.
Plani i veprimit përfshin bashkëpunim në sektorë të ndryshëm, për zbatimin e Marrëveshjes dypalëshe të vitit 2017. Mos-zbatimi i marrëveshjes ishte një nga shkaqet që Sofja e bllokoi fillimin e negociatave mes Shkupit e BE-së.