Ndërsa Shtetet e Bashkuara po punojnë intensivisht për të vaksinuar më shumë se 300 milion njerëz ndaj COVID-19, Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) ka lëshuar një sërë udhëzimesh të reja, që heqin një kusht kryesor për miratimin e vaksinave.
FDA njoftoi të hënën se prodhuesit e ilaçeve nuk do të kishin nevojë të kryenin një raund të ri provash masive klinike me pjesëmarrjen e mijëra vullnetarëve për të testuar vaksinat që janë përshtatur për të mbrojtur nga variante të reja të koronavirusit. Agjencia tha se kompanitë mund të testojnë efikasitetin e vaksinave të përshtatura përmes një procesi të ngjashëm të përdorur për vaksinat vjetore të gripit.
Procesi përfshin dhënien e vaksinës të përshtatur një grupi të vogël vullnetarësh dhe krahasimin së aftësisë së saj imunizuese me atë të versionit origjinal. Studiuesit mund ta testojnë variantin e ri të vaksinës si një dozë të pare ose dozë përforcuese për ata që janë vaksinuar tashmë.
Kompanitë farmaceutike po punojnë për të rishikuar vaksinat e tyre për të variantet e reja të koronavirusit që janë identifikuar në Britani, Brazil dhe Afrikën e Jugut, që mund të zvogëlojë efektivitetin e vaksinave ekzistuese.
Udhëzimet e reja të FDA-së u lëshuan në të njëjtën ditë kur në Shtetet e Bashkuara numri i të vdekurve nga COVID-19 e kaloi shifrën 500,000, më i larti mes gjithë vendeve.
Por ky bilanc tragjike vjen ndërsa vendi duket se po shënon një kthesë në luftën kundër koronavirusit: numri mesatar i infeksioneve dhe vdekjeve të reja nga COVID-19 ka rënë që nga kulmi i tij në fillim të janarit, ndërsa shpërndarja e vaksinave dhe injektimi i tyre po rritet gradualisht pavarësisht nga një mungesë fillestare e vaksinave dhe stuhisë së fundit të borës që goditi pjesën më të madhe të SHBA-së këtë muaj, e cila shkaktoi një vonesë disa ditëshe në transportin e vaksinave.